Dy vjet më parë, Shpresa* i dha fund martesës 34 vjeçare për shkak të dhunës së vazhdueshme të bashkëshortit. Por mëngjesin e 15 korrikut 2017, ish-burri i zuri pritë teksa po shkonte në punë dhe tentoi ta vriste, duke e goditur mbi 40 herë me levë në kokë dhe në të gjithë trupin.
“I kam dhe sot shenjat nëpër trup e këmbët e deformume,” thotë nëna e dy djemve duke treguar gjymtyrët, ndërsa shton se i shoqi tentoi ‘me e myt.” “Kam 32 pena në kokë, ja si i kam gishtat unë, shiko si i kam gishtat unë,” tregoi ajo.
Edhe pse ish-bashkëshorti tashmë ndodhet pas hekurave, telashet nuk kanë të sosur për gruan nga Fushë Kruja, e cila tashmë po përballet me një padi civile nga kunati dhe vjehrra për pronësinë e shtëpisë dhe tokës ku banon.
“Para dy ditësh kam qenë në gjykatë me ato, dhe (vjehrra) më thotë mua ‘lere banesën tani ti ik, nuk e gëzon ti shtëpinë e djalit tim”, tregon Shpresa, duke rikujtuar seancën e fundit të mbajtur në qershor. “Ta dëgjosh në gjykatë se ça thotë, thua o zot ça janë këto njerëz,” shtoi ajo.
Ngjashëm me Shpresën, shumë gra dhe vajza shqiptare jo vetëm përballen me fenomenin shqetësues të dhunës në familje, por hasin gjithashtu vështirësi për të gëzuar të drejtat e tyre mbi pronën familjare.
Edhe pse ligjet në Shqipëri e garantojnë të drejtën e pronës për gratë dhe vajzat, sipas ekspertëve ato nuk zbatohen gjithmonë, ndërkohë që së bashku me traditën që u njeh djemve përparësi në trashëgiminë e pronës familjare, një hendek i thellë është krijuar midis burrave dhe grave që gëzojnë të drejta pronësie.
Ky hendek, sipas aktivistëve për barazi gjinore i bën gratë shqiptare të varura ekonomikisht nga bashkëshorti, duke e vështirësuar ndarjen nga një martese e palumtur ose të dhunshme për të filluar një jetë të re.
Hendeku gjinor i pronës
Megjithë progresin e bërë gjatë dekadave të fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara e rendit Shqipërinë si vendin ku gratë dhe vajzat përballen me pabarazi, hendek në paga, dhunë gjinore, diskriminim dhe stereotipe në tregun e punës.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se kjo pabarazi është e theksuar edhe për sa i përket të drejtave të pronës.
Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat bazohen në digjitalizimin e 43.6 % të të dhënave të kartelës së pasurisë në pronësi publike dhe private në Shqipëri, pronësia mbi pasuritë private të paluajtshme të regjistruara është në raportin 19.1% në emër të grave dhe 80.9% në emër të burrave.
“Pronësia mbi pasuritë e paluajtshme private të llojeve truall, tokë bujqësore, pyll dhe kullotë është në raportin 18.5% në emër të grave dhe 81.5% në emër të burrave,” tha ASHK në një përgjigje me shkrim. “Pronësia mbi pasuritë e paluajtshme private të regjistruara të llojit banesë është në raportin 18.7% në emër të grave dhe 81.3% në emër të burrave,” shtoi Agjencia.
Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Aurela Anastasi i tha BIRN se dispozitat e Kodit Civil për trashëgiminë parashikojnë të drejta të barabarta si për burrat, ashtu edhe për gratë në Shqipëri, por në praktikë, ka dy pengesa të mëdha që e kufizojnë barazinë e gruas me burrin në gëzimin e së drejtës për të trashëguar.
“Së pari, ky kufizim lidhet me faktin që kemi mjaft raste kur prona e paluajtshme është regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit ose të kryefamiljarit,” tha ajo.
Anastasi shpjegoi se në këto raste, kur çelet trashëgimia ligjore, pasuria e prezumuar e bashkëshortes nuk llogaritet në ndarjen e pronës me trashëgim dhe kjo e pengon atë të gëzojë pjesën e saj të pasurisë, e cila përfundon e ndarë në pjesë edhe në trashëgimtarët e tjerë.
“Së dyti, mentaliteti shoqëror ende kërkon që prona të trashëgohet në vijë mashkullore, për rrjedhojë, në shumicën e rasteve motrat apo vajzat e familjes heqin dorë nga pjesa që trashëgojnë për t’ua kaluar pjesën e tyre meshkujve të familjes,” shtoi ajo.
Arta Mandro, juriste dhe autore në shkollën e Magjistraturës e studimit “Të drejtat pronësore të grave në Shqipëri,” shprehet gjithashtu se hendeku gjinor në regjistrimin e pronës vjen si pasojë e disa faktorëve, ku më të rëndësishmit në mes tyre janë zbatimi i dobët i ligjit dhe mentaliteti i shoqërisë.
“Është çështje e zbatimit të ligjit, çështje e para njëherë, aktet nënligjore është shumë e rëndësishme që të jenë të qarta, gjithë rregulloret duhet të jenë të qarta, punonjësit duhet të jenë të trajnuar dhe unë them që të trajnuarit nga perspektiva “gjinore” është kaq e rëndësishme,” tha ajo.
Mandro sqaron se nuk janë të pakta rastet kur gratë nuk i njohin të drejtat e tyre pronësore, ose nuk i “pranojnë” ato për shkak të mentalitetit, traditës apo normave zakonore e kulturore me të cilat rriten.
“Ka më shumë mungesë ndërgjegjësimi, janë më shumë vulnerabël, janë ndonjëherë të ndikuara nga stereotipet, që do të thotë se ato vetë brenda familjes së tyre mendojnë që burri ka bërë më shumë, djalit i takon më shumë, trashëgimia duhet të shkojë në atë mënyrë,” shtoi Mandro.
Enkeleda Olldashi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, shprehet se mungesa e ndërgjegjësimit mes grave dhe vajzave përsa i përket të drejtave pronësore ka ardhur dhe për shkak të mohimit të së drejtës së pronës private gjatë regjimit komunist në tërësi.
“Duke ardhur nga një shoqëri e mospasjes së pronës private, do të thotë e moslënies asgjë në trashëgimi. Diskutimi nëse do të ndahej në mënyrë të barabartë mes fëmijëve pa ndryshime dhe pa qasje gjinore, nuk ka qenë problematike se nuk kishte çfarë të lihej,” tha ajo.
Sipas Olldashit, gjatë regjimit komunist koncepti ishte që vajza martohej dhe në momentin që martohej hynte në një familje të re dhe automatikisht dhe të drejtat trashëgimore duhej t’i gëzonte nga familja e re, duke pasur një shkëputje totale nga koncepti i familjes së origjinës.
“Fakti [është] që vajzat e martuara kur shkëputeshin nga familja e origjinës në kuptimin e gjendjes familjare, automatikisht shkëputeshin nga të drejtat trashëgimore,” tha ajo. “Kjo nuk është aq e lehtë që të ndryshojë brenda ditës, sepse gjëja që ndryshon më ngadalë në një shoqëri është mentaliteti,” shtoi Olldashi.
Sociologu Zyhdi Dervishi nënvizon se gratë që kërkojnë të afirmojnë të drejtat e tyre të pronësisë, shpesh shihen me paragjykim nga shoqëria shqiptare.
“Gratë që kërkojnë të jenë bashkëpronare, formulojnë dokumentet me dy firma me dy emra, duken pak si të bezdisshme, si cingune, pak si grindavece,” tha Dervishi.
“Ky opinion i bën të tërhiqen gratë, nuk janë këmbëngulëse që çdo pronë që është siguruar, që është blerë, që është realizuar pas martesës, të figurojë me dy emra, të bashkëshortit dhe bashkëshortes, jo të ndarë por me dy emra,” shtoi ai.
Vajzat nuk trashëgojnë pronë
Në mesin e viteve ’90, familja e Entelës, e përbërë nga prindërit, motra dhe dy vëllezërit u zhvendos nga Tropoja në Durrës dhe në vitin 2000, përfundimisht në Tiranë. Në periferi të kryeqytetit ata kanë ndërtuar dy banesa – njëra prej tyre dy katëshe, në një sipërfaqe prej dy dynymë tokë.
Prej gati 20 vitesh i ati punon në bujqësi si emigrant sezonal në Greqi. E ëma ka qenë kryesisht shtëpiake deri në moshën qe fëmijët u rritën dhe nuk kishin nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Pastaj ajo ka punuar në të zezë për një periudhë të gjatë kohe, ndërsa tani është e siguruar, por nuk i ka bërë vitet e pensionit dhe po ruan mënjanë të paktën që kur të dalë në pension, të marrë diçka të vogël mbrapsht.