Në vitin 2014 në brigjet e Greqisë ishte ndaluar një anije në të cilin ishin gjetur dy tonë heroinë dhe 18 tonë karburant ilegal.
Fillimisht kishte pasur vetëm dyshime dhe spekulime që e lidhnin njërin prej njerëzve më të fuqishëm në Greqi me këtë gjë, e që njëherit është edhe pronari i dy skuadrave, Olympiacos në Greqi dhe Nottingham Forest në Angli.
Mirëpo, të premten e kaluar, autoritetet greke e akuzuan edhe zyrtarisht biznesmenin dhe pronarin e dy klubeve të futbollit, Evangelos Marinakis, për trafik droge dhe financim të aktiviteteve ilegale.
Akuzat, të cilat Marinakis po i kundërshton fuqishëm, janë në vazhdën e zhvillimeve të fundit në futbollin grekë, ku kohë më parë u pa edhe presidenti i klubit PAOK, Ivan Savvidis, teksa futej në fushë me pistoletë në brez, duke e frikësuar dhe sulmuar një gjyqtarë gjatë ndeshjes së PAOK kundër AEK në kampionatin grekë.
Akuzat e fundit ndaj Marinakis nuk janë të vetmet, pasi në vitin 2015 i njëjti ishte akuzuar lidhur me përfshirjen e tij në trukimin e ndeshjeve në shtatë shtete të ndryshme, por në fund ishte shpallur i pafajshëm.
Manjati grekë Evangelos Marinakis, dhjetë muaj më parë, në maj të vitit 2017, i kishte blerë edhe pjesën dërmuese të aksioneve të skuadrës angleze të Nottingham Forest për 50 milionë funte, pas problemeve financiare të kësaj skuadre dhe për akuzat e trukimeve ishte shprehur se, janë të bëmat e njerëzve që i xhelozojnë sukseset e tij gjithandej, në biznes, sport e politikë.
Që nga ardhja e Marinakis si pronar i Olympiacos në vitin 2010, skuadra është shpallur për shtatë vite rresht kampione në Super Ligën e Greqisë, ku Marinakis për një periudhë kishte qenë edhe President i Super Ligës së Greqisë dhe nënkryetarë i Federatës së Futbollit të Greqisë.
Katërshja e madhe e futbollit grekë e përbërë nga AEK, Olympiacos, Panathinaikos dhe PAOK, gëzon një numër të madh tifozësh, ku bashkë me pronarët biznesmenë të këtyre skuadrave, llogaritet se kanë ndikim të madh edhe në politikën greke