Nga tribuna që u mbajt në Tetovë, u theksua nevoja që në të ardhmen të punohet më shumë në këtë drejtim që pronarët në mënyrë dinjitoze të shfrytëzojnë pronat e tyre. Vlladimir Stojanovski, ekspert për këto çështje, thotë se nga vizitat e mëhershme në rajone tjera të vendit është konstatuar se ekzistojë shumë probleme, por edhe mosinformim i pronarëve
Urim HASIPI
Tetovë, 14 mars – Pronarët e pyjeve private përballen me shumë probleme dhe sfida. Bëhet fjalë për pronarët e këtyre pyjeve në rajonin e Tearcës, Jegunocit, Mavrovës dhe Vrapçishtit. Kryesisht, problemet kanë të bëjnë me kadastrën, nuk dinë saktësisht ku ndodhen pronat e tyre, prerje ilegale të drunjve dhe djegie të të njëjtave. Kështu u tha në tribunën në Tetovë, ku Shoqata e pronarëve privat të pyjeve organizoi takim me disa nga pronarët për të parë se cilat janë problemet e tyre reale me të cilët ballafaqohen ata. Vlladimir Stojanovski, ekspert për këto çështje, thotë se nga vizitat e mëhershme në rajone tjera të vendit është konstatuar se ekzistojë shumë probleme por edhe mosinformim i pronarëve. Ai theksoi se ka probleme në rajonin e Gostivarit, ku pronarët nuk mund të harmonizojnë pronën e tyre që e kanë me atë që është shënuar në dokumentacione.
“Vizitat tona nëpër disa rajone treguan se ekziston një mungesë informimi tek pronarët privat të pyjeve dhe e gjithë kjo nuk shkon në interes edhe të bashkësive lokale sepse kjo nënkupton mos shfrytëzim të resurseve, ndërsa nevoja e resurseve të pyjeve private dihet që luan një rol kryesor në buxhetin familjar të familjeve, në formën e sigurimin të drunjve, shitjes, ndërtimit dhe kështu me radhë, si dhe disa prodhime malore që luajnë po ashtu një rol të rëndësishëm. Rezultatet nga hulumtimet treguan se pronarët ballafaqohen me barriera të mëdha dhe pengesa në shfrytëzimin e pyjeve të tyre”, tha Stojanovski. Vojo Sokolovski, kryetar i Shoqatës së pronarëve privat në Maqedoni, pohon se problem përbën edhe prerja ilegale e pyjeve, dhe kjo i dëmton këta pronarë.
“Disa procese me të cilat ne pronarët privat të pyjeve nuk jemi të kënaqur është prerja ilegale e drunjve në pyje, dhe sipas disa analizave është frapante sasia e drunjëve të prera. Nga këtu dua të potencoj se edhe ne si shoqatë duam që ajo dukuri negative të çrrënjoset nga shoqëria, por për këtë duhet të ketë vullnet më të madh dhe të ketë më shumë aksione në teren. Zjarret janë gjithashtu një problem i madh, i cili kohëve të fundit ka filluar që shumë shpesh të paraqitet ,dhe në lidhje me këtë mund të them se një numër i madh prej tyre nuk janë të rastësishëm, prandaj edhe ne si shoqatë jemi kundër këtyre dy dukurive”, thotë Sokolovski. Sipas tij, problemet më të mëdha janë me kadastrën dhe ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë”. “Më së shumti pronarët privat të pyjeve i tangojnë problemet me Ndërmarrjen Publike ‘Pyjet e Maqedonisë’ , problemet me kadastrën dhe problemet me institucione të ndryshme, të cilat janë të trashëguara dhe në një farë mënyre mundohemi që t’i zgjidhim ose tejkalojmë në interes të pronarëve privat. Ajo që është me interes publik dhe mund të thuhet se edhe përkundër 20 viteve punë, ne arritëm që të imponohemi dhe të jemi partner në politikën pyjore të Republikës së Maqedonisë”, sqaroi më tej kryetari i kësaj shoqate. Nga tribuna që u mbajt në Tetovë, u theksua nevoja që në të ardhmen të punohet më shumë në këtë drejtim, që pronarët në mënyrë dinjitoze të shfrytëzojnë pronat e tyre. (koha.mk)