Cak i dëmtimeve nuk janë vetëm hapësirat publike në Gostivar. Edhe në Tetovë dhe rrethinë ky fenomen pothuajse ka ndjekur çdo investim publik që është bërë kohëve të fundit
Urim HASIPI
Gostivar, 15 prill – Vjedhja dhe dëmtimi i pajisjeve urbane nëpër sipërfaqet publike është një dukuri e vazhdueshme që ndjekë dy qytetet e Pollogut, Tetovën dhe Gostivarin. Kohëve të fundit janë dëmtuar rekuizitat dhe pajisjet e vendosura në Gostivar përgjatë lumit Vardar në shëtitoren e ndërtuar kohë më parë. Pamjet nga dëmtimi i këtyre rekuizitave sportive kanë ngjallur reagime tek një pjesë jo vetëm e qytetarëve por edhe të kreut të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Ai thotë se qytetarët duhet që të shijojnë këta vende dhe jo t’i shkatërrojnë të njëjtat. “Një nga investimet më të justifikuara publike që kemi bërë në qytetin tonë janë shëtitoret buzë lumit Vardar. Kemi krijuar një frymëmarrje për qytetarët, të cilët mbushin hapësirat e këtyre rrugëve, por me keqardhje vërejmë se disa prej lojërave për fëmijë janë prishur duke abuzuar me ato nga individë të papërgjegjshëm. Do ju kërkonim me dashamirësi që në vend që të shkatërrojnë pronën publike le të provojnë ta gëzojnë, sepse kështu i ka hije gostivarasve të vërtetë”, reagoi Taravari.
Nga Komuna e Gostivarit kanë thënë se të gjitha dëmet do të riparohen, kurse në të ardhmen parashihet edhe vendosja e rojeve me qëllim që këto rekuizita dhe pajisje sportive të mos dëmtohen. “Gjatë ditëve të kaluara ishim dëshmitarë të një vandalizmi të pronës publike, e cila shfrytëzohet nga qytetarët e Gostivarit. Njoftojmë se në të ardhmen për të shmangur këto lloje të vandalizmit nga individë të papërgjegjshëm, do të angazhojmë roje për të mbrojtur pronën tonë të përbashkët. Ky është një projekt i financuar nga ambasada zvicerane dhe Komuna e Gostivarit dhe tashmë qytetarët e kanë bërë vend të tyre të preferuar. Çdo cep të qytetit tonë duhet ta ndjejmë si të jetë i ynë”, janë shprehur nga komuna e Gostivarit.
Ky vend kohëve të fundit është një nga hapësirat më të frekuentuara në qytetin e Gostivarit, ku qytetarët kalojnë një pjesë të ditës. Ndryshe, vlera e investimit për këtë projekt ishte 250 mijë euro dhe ishte një nga investimet më të mëdha në Komunën e Gostivarit për vitin e kaluar. Realizimi i idesë doli nga projekti “Përforcim të këshillave komunalë”, kurse UNDP-ja e zbatoi me mbështetje financiare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Ndërkaq, shëtitorja shtrihet nga ura e vogël e deri te ura e re, ndërsa gjatësia është 420 metra përgjatë lumit Vardar në qytetin e Gostivarit. Me këtë rast, në këtë qendër rekreativo- sportive janë vendosur pajisje urbane, ndriçim publik, rregullim i veçantë hortikulturor, pajisje të veçanta për personat me nevoja të posaçme, dhe shtigje të posaçme për personat me shikim të dobët. Por, cak i dëmtimeve nuk janë vetëm hapësirat publike në Gostivar. Edhe në Tetovë dhe rrethinë ky fenomen pothuajse ka ndjekur çdo investim publik që është bërë kohëve të fundit. Në shënjestër të personave të pandërgjegjshëm janë shportat për mbeturina, ulëset publike, fidanët e mbjellur përgjatë bulevardeve e kështu me radhë. Shoqëria civile kërkon që qytetarët të kenë më shumë kujdes me pronën publike duke u kujdesur për ato dhe jo duke i dëmtuar. (koha.mk)