Shkup, 23 dhjetor – Në Qendrën teatrore për fëmijë sonte do të promovohet libri “Nga xhepi i zemrës” i autores nga Shkupi, Arlinda Baftiu.
“Nga xhepi i zemrës” me 64 poezi është libri i dytë, pasi që të parin autorja e re e ka botuar nga konkursi i Shtëpisë së Kulturës, Koço Racin në vitin 2015 me titull “Luftë me heshtjen”.
Rreth librit në promovim do të flasë, kritiku letrar Ahmet Selmani, recensentja Vjollcë Berisha, poete dhe pedagoge në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë USHT-së, si dhe do të lexohet edhe recensioni i poetit Hasan Qyqalla, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve të mërgatës në Gjermani.
Arlinda Baftiu, (Shkup 1994), shkollën fillore e filloi në moshën 5 vjeçare nga ku mësuesja e saj e spikati dhe inkurajoi afinitetin për të shkruar dhe për të gjurmuar arte tjera. Pas botimeve në revistat për fëmijë, Arlinda mori pjesë edhe në disa festivale. Shkollën e mesme ekonomike e kreu në Shkup ku është shpallur nxënësja me e mire e gjeneratës 2008/20012. Është fituese e çmimit të parë në oratori në garën e shkollave të mesme. Studimet juridike i ka kryer pranë USHCM dhe aktualisht punon në RTVM si autore dhe prezantuese e emisionit “Motivi.
Ka marrë çmimin “Filolet” në konkursin elektronik nga organizata Filolet në Zvicër, çmimin e parë në konkursin “Dita ndërkombëtare e poezisë” në Shkup, çmimin e parë në konkursin e shtëpisë së Kulturës “Koço Racin” për vepra të autorëve të rinj, çmimin e parë “Sefer Selimi” në Gostivar, çmimin special “Medaljoni poetik” në Festivalin “Malli poetik i Kosovës” ne Kosovë, çmimi i dyte në “Tetova Feston Nentorin” dhe çmimin e parë në edicionin e 35 të festivalit “Takimet e poeteshave shqiptare” në konkurrencë me 163 poete, poezi që së fundmi u përkthye në gjuhën turke. Ka marrë pjesë në dhjetëra aktivitete letrare dhe ka organizuar një numër te madh të tyre.