Tetovë, 27 tetor – Në ambientet e Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë, në prezencë të familjarëve, miqve, rektorit të këtij Universiteti, Zamik Dika, kolegëve, si akademik Izet Zeqirit, akademik Alajdin Abazit, profesor Arben Malajt dhe të tjerëve, akademik Abdylmenaf Bexheti ka promovuar botimin e dytë të librit të tij “Financa publike”. Sipas akademik Bexhetit, ky libër në përmbajtjen e tij trajton të gjitha elementet e financave publike, si në aspekt të të ardhurave publike po ashtu edhe në aspekt të shpenzimeve, menaxhimin e diferencave buxhetore si dhe menaxhimin e mirë të financave publike. Profesor Arben Malaj në cilësinë e recensentit ka vlerësuar lartë librin “Financa publike”, botimi i dytë të akademik Bexhetit, duke nënvizuar faktin se ky libër, përveç se do t’ju shërbejë studentëve, do t’ju shërbejë edhe kolegëve, gjegjësisht ekonomistëve, profesorëve të ekonomisë, por edhe politik-bërësve, pasi që financat publike janë pjesë përbërëse dhe tejet e rëndësishme e qeverisjes së një vendi. Ky libër i akademik Abdylmenaf Bexhetit, përveçse do të plotësojë një hapësirë boshe në literaturën e ekonomisë dhe financave, gjithashtu do të jetë në shërbim të studentëve, ekonomistëve, studiuesve si një pikënisje, një referencë në studimet e tyre në fushën e ekonomisë dhe financave. Përndryshe, autori librit, akademik Abdylmenaf Bexheti, është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Maqedonisë. (u.h.)