Ndonëse në kohë pandemie, promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” të historianit Jusuf Buxhovi, në ambientet e librarisë “Dukagjini” në Prishtinë, zgjoi interesim të dukshëm. Botuesi i librit, Nazmi Rrahmani, veprën më të re të Buxhovit, “Dardania – antika, mesjeta”, e vlerësoi si një të arritur të madhe të historiografisë sonë, meqë nxjerr në pah Dardanët si popull dhe Dardaninë si mbretëri me një pamje tjetër nga ajo e historiografisë sonë institucionale, ku ajo, të shumtën shfaqet e rrudhur dhe e minimizuar.
Rrahmani theksoi se “duke u mbështetur në literaturë mjaft të pasur të historianëve të rëndësishëm botërorë dhe të kohëve të ndryshme, autori studimin e nis me nxjerrjen e pellazgëve nga lashtësia përmes gjurmëve të tyre të shumta duke i vendosur në sfond historik, përpjekje kjo që patjetër hap çështjen e pasardhësve të drejtpërdrejt të tyre, familjes së madhe ilire-trake, e në radhë të parë të Dardanëve, Maqedonëve dhe Epirotëve. Në këtë aspekt, autori, shtrirjen e Dardanëve e përcjell nga koha parahistorike dhe vazhdon në atë historike, si mbretëri, në një hapësirë euro-aziatike, nga shekulli IV para erës sonë e tutje, ku roli i saj shihet si një mbretëri ndër më të fuqishmet e kohës,që do të ndikojë zhvillimet e gjithëmbarshme në antikitet.
Botuesi Rrahmani, veçoi qëndrimin e autorit rreth rolit të Dardanisë gjatë Bizantit si dhe rëndësinë që kishte ajo gjatë transformimit të formacioneve politike-shoqërore që u shfaqen në Ilirik pas shfaqjes së krishterimit. Për botuesin, libri ka një rëndësi të madhe edhe për faktin se ai përcillet me shtojcën “Mashtrimet e historiografisë serbe: konvertimi i popujve dhe falsifikimi i dokumenteve kishtare”. Kjo shtojcë, sjell shumë argumente nga autorë të Bizantit dhe të tjerë, të cilët janë keqpërdorur ose falsifikuar nga historiografia serbe për të krijuar një pamje të rreme të të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb” në Kosovës, që nuk ka ekzistuar fare.
Rreth kësaj çështje foli edhe autori, që pos tjerash tha se, përqendrimi te burimet bizantine dhe të autorëve të tjerë, ka për qëllim demistifikimin e historiografisë serbe dhe të gënjeshtrave të saj, me anën e të cilave ajo vazhdimisht ka konvertuar Tribalët në serbë, me çka zhupaninë e Rashës të drejtuar nga dinastia Nemanjane me origjinë Tribale e ka përvetësuar ,duke e kthyer “në themel të shtetit serb mesjetar”. Ky koncept është ndërtuar nga Garashanini dhe politika ekspansioniste ruse e shekullit të kaluar, që ka shkuar në dëm të çështjes shqiptare.
Mbi këtë koncept, Serbia ka zhvilluar luftëra dhe gjenocide në Ballkan ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1878 e deri në vitin 1912 dhe 1999, kur do të pushtojë pjesën më të madhe të hapësirës shqiptare (Kosovën dhe Maqedoninë). Autori shtoi se libri i tij duhet t’i shërbejë demistifikimit të gënjeshtrës serbe, por njëherësh edhe t’i ndihmojë asaj pjese të historiografisë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, që të lirohet nga diskursi i historiografisë serbe dhe falsifikimeve të saj. Në këtë aspekt, është me rëndësi që Rasha dhe dinastia Nemanjane me origjinë Tribale, të nxirren nga përvetësimi serb dhe të barten te trashëgimia ilire-dardane ku edhe e kanë vendin.
Ky veprim duhet përcillet edhe me demistifikimin e rolit të kishës ortodokse serbe dhe përvetësimit që ajo ia ka bërë krishterimit ortodoks, ku shqiptarët kanë hise të madhe, nga shfaqja e krishterimit në shekullin IV e këndej. Sipas autorit, kjo çështje meriton vemendje edhe më të madhe, ngaqe me Pakon e Ahtisarit, nga politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës, kishës ortodokse serbe i është dorëzuar e drejta historike, pra tapitë shpirtërore, çështje kjo që shtetin e Kosovës do ta vëjë para sprovave ekzistenciale.
Promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” në librarinë “DukagjiniVEPËR E RËNDËSISHME QË DEMISTIFIKON GËNJESHTRAT…
Publiée par Jusuf Buxhovi sur Mercredi 16 septembre 2020