Promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” në Viti

39

VEPËR E RËNDËSISHME QË IA KTHEN VENDIN DARDANISË NË HISTORINË SHQIPTARE

Në kuadër të shpërndarjes së donacionit prej 500 veprave bibliotekave të Kosovës, sot në Viti, u bë promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” të historianit Jusuf Buxhovi.

Redaktori i librit, Ramadan Musliu, qysh në fillim, librin “Dardania – antika, mesjeta” e vlerësoi si njërën ndër veprat më të rëndësishme të historiografisë shqiptare, e cila, në mënyrë komplekse ngriti dy çështje: atë të rolit të Dardanëve si popull dhe të Dardanisë si mbretëri, të cilat, historiografia institucionale nuk i ka trajtuar në përputhje me rëndësinë që kishin Dardanët dhe Dardania në antikitet, si themelues të Trojës dhe të qytetërimeve të tjera deri te ai i Romës dhe të mbretërisë së Dardanisë si qendër e botës pellazge-ilire në hapësirën euro-aziatike. Musliu tha se çështjet që shtrohen në këtë libër, në një farë mënyre, janë ngritur te “Kosova” në tetë vëllime, por që tash, ato elaborohen në përputhje me një riinterpretim të mbështetur mbi faktografinë, që ka ekzistuar qysh nga autorët antikë, me të cilët nuk është marrë historiografia jonë, ndonëse këtë ka mundur ta bëjë kurdoherë, qoftë nga burimet e shumta antike, qoftë edhe nga autorët e njohur të antikitetit (Homeri, Virgjili) e të tjerë, ku Dardanët nxjerrën me pamjen e një matrice të aristokracisë së botës ilire.

Por, për redaktorin e librit, Musliun, vlera e librit shihet më së miri te pjesa e Mesjetës, me ç’rast del në pah vazhdimësia historike e faktorit ilir-dardan në përputhje me zhvillimet si dhe në raport me faktorët tjerë që do të shfaqen gjatë Bizantit, ku ata, edhe në rrethanat e reja, mbesin faktori kryesor, ndërkohë që nga historianët serbë, rusë dhe të tjerë, injorohen fare, me çka ata duhet të përjashtohen nga mesjeta. Në këtë aspekt, Musliu, vlerësoi si të rëndësishëm kërkesën e autorit që të rivlerësohet Mesjeta si dhe roli i Arbërve në kuadër të formacioneve shoqërore dhe politike që u shfaqen kur Bizanti po shpërbëhej, e ku dinastia Nemajane e Rashës me origjinë tribale, me qendër në Dardani, Maqedoni dhe pjesërisht Epir që prej saj projektohej si “Ilirikum Magnum”, shfaqej si fuqi hegjemone që ta përvetësojë kurorën e Bizantit. Sipas Musilut, Buxhovi, në përputhje me burimet e shumta të autorëve të kohës (nga Halkokondili e deri te Kantakuzeni), Rashën Nemanjane e nxjerr nga përvetësimi që i është bërë nga historiografia hegjemoniste e shekullit nëntëmbëdhjetë me anën e konvertimit të Tribalëve në serbë, te një entitet që lidhet me botën ilire-dardane,përkundër faktit se nga shumica e autorëve antikë, Tribalët shihen si ilirë për ta lidhur atë me këtë botë. Për ta ndërtuar këtë hipotezë, Buxhovi, në Shtojcë, sjell shumë nga autorët antikë që Nemanjajt i quajnë Tribalë dhe Rashën Tribalia, duke paraqitur edhe infrastrukturën e këtij falsifikimi skandaloz nga rishkrimi i dokumenteve kishtare në Hilandar e deri te retushimi dhe përpunimi i tyre në Karlovc, Odesë dhe Vjenë, ku nga shkolla e njohur sllaviste e Vjenës, do të dizajnohet i gjithë falsifikati për gjoja të ashtuquajturin shtet mesjetar serb, me Rashën si themel, si dhe kishën autoqefale serbe nga shekulli XIII, që po ashtu nuk ka ekzistuar. Në fund, Musliu, tha se kjo vepër imponon nevojën që historiografia institucionale shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, të lirohet nga kornizat ideologjike nga diskursi i historiografisë hegjemoniste serbe në mënyrë që ta ndërtojë qëndrimin e vet mbi fakte autentike, ndryshe nga pamja e deritanishme në përputhjue me falsifikimet serbe, paçka se kjo disave ua rrezikon titujt, vepra dhe privilegjet e shumta.

“Nëse kjo nuk do të bëhet, atëherë këtë ta bëjë historiografia botërore, gjë që kjo nga kthen te pozicioni që të huajt të na shkruajnë historinë kur këtë mund ta bëjmë edhe ne siç po vepron Buxhovi dhe disa të tjerë jashtë institucioneve të mbikëyqura nga politikat të shumtën antikombëtare”.

Autori i veprës, përsëriti faktin se në librin më të ri, ka riformuluar disa nga qëndrimet e shfaqura në “Kosova” I-VIII, drejt forcimit të tezës së nuk ka ekzistuar shteti mesjetar serb ashtu siç e paraqet historiografia serbe e shekullit XIX, me ç’rast Rasha dhe Nemanjajt me origjinë tribale përvetësohen me anën e falsifikimeve të shumta, gjë që, historiografisë shqiptare i shtrohet detyrë urgjente të ridefinojë rolin rolin e saj në përputhje me dokumentet meritore bizantine.

Promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” në VitiVEPËR E RËNDËSISHME QË IA KTHEN VENDIN DARDANISË NË HISTORINË…

Publiée par Jusuf Buxhovi sur Vendredi 25 septembre 2020

Comments are closed.