Kumanovë, 28 shkurt – Procesi gjyqësor kundër vrasësit Boban Iliq nga Kumanova, i cili në qershor të vitit të kaluar në mënyrë brutale me paramendimin e goditi për vdekje katër vjeçarin Almir Aliun, është anuluar me arsyetim të mos pranisë të ekspertëve që e kanë përgatitur ekspertizën neuropsikiatrike për të akuzuarin, shkruan gazeta KOHA. Seanca e radhës, sipas njoftimit nga Gjykata e Kumanovës, pritet të mbahet më 24 mars. Ndryshe, pala mbrojtëse dhe familjarët e vogëlushit të ndjerë kërkojnë që i dyshuari të dënohet me burg të përjetshëm, pasi sipas aktakuzës, vrasjen e ka kryer me paramendim. Saktësisht, ai ngarkohet për vepër penale “vrasje”, sipas Kodit Penal neni 123, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 3, i cili thotë: “Personi që me paramendim do të privojë nga jeta ndonjë person, ndërkaq më pas do të rrezikojë edhe jetën e ndonjë personi tjetër, do të dënohet me më së paku 10 vite burg ose me burg të përjetshëm”. Përveç vrasjes së Almirit, i paraburgosuri Iliq është i dyshuar edhe për tentim-vrasje të prindërve të fëmijës. Sipas aktakuzës, përpara vrasjes ka pasur një zënkë mes Iliqit, i cili ka qenë bashkë me të dashurën në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë, dhe babait të Almirit, për shkak të mosrespektimit të radhës për pranim në ambulancë. Vogëlushi i ndjerë Almir Aliu nga Kumanova humbi jetën si pasojë e goditjes me veturë që mori mbrëmjen e 25 qershorit. Edhe në videon që përbën provë materiale për rastin, vërehet se i dyshuari Boban Iliq e ka kryer aktin në prani të prindërve të Almirit. Pas kësaj ngjarjeje, në Kumanovë pati reagime të mëdha të cilët më vonë pasuan me organizimin e një proteste. (koha.mk)