Shkup, 2 maj – Afati për parashtrimin e kërkesave për subvencione për masat nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi në vend të 15 majit të këtij muaji, do të vazhdohet deri më 12 qershor të vitit 2018, kumtoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Për këtë qëllim, në koordinim me Agjencinë Pagesore, MBPEU do të kryejë ndryshime të Dispozitës për pagesa të drejtpërdrejta 2018 që duhet të aprovohet në seancën e Qeverisë.
“Fillimisht, prolongimi i afatit është me kërkesë të blegtorëve dhe shoqatave të veterinarëve të cilët janë prononcuar se nuk do të kenë kohë deri më 15 maj ta azhurnojnë numrin e gjendjes të kafshëve në regjistrin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, që është kusht për parashtrimin e kërkesave për subvencionimin e bagëtive, dhenve dhe dhive. Vazhdim të afatit kanë kërkuar edhe prodhuesit e kalemave të hardhive, të cilët theksuan se u nevojitet kohë shtesë që plotësisht ta përgatisin dokumentacionin për subvencione për kalemat e hardhive të prodhuara dhe të shitura”, informon MBPEU.
Sipas MBPEU, prolongimi i afateve nuk do të ndikojë mbi dinamikën e pagesës së subvencioneve.
Kërkesat parashtrohen në mënyrë elektronike, në mënyrë të pavarur, nga ana e kërkuesve. Nëse kanë nevojë për ndihmë gjatë plotësimit të kërkesave elektronike, mund të drejtohen në njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë. Në faqen e internetit të Agjencisë www.ipardpa.gov.mkjanë publikuar udhëzimet për shfrytëzuesit, numrat e telefonave dhe adresa elektronike ku do të mund të parashtrohen pyetje lidhur me aplikimet.