Çfarë nëse kontesti me Bullgarinë nuk zgjidhet deri më 30 qershor dhe negociatat me BE-në të prolongohen sërish? Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell ka paralajmëruar për një krizë, ndërsa analistët thonë se rajoni do të largohet nga agjenda evropiane
Xhenur ISENI
Shkup, 21 maj – Thirrjet po bëhen gjithnjë e më të forta dhe është intensifikuar aktiviteti diplomatik për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë deri në përfundim të presidencës franceze me BE-në, e cila përfundon më 30 qershor. Presidenti francez Emmanuel Macron ditë më parë ka realizuar biseda telefonike me kryeministrat e dy vendeve, Dimitar Kovaçevski dhe Kirill Petkov, si dhe me presidentin bullgar Rumen Radev. Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Oliver Varhei dhe Zëvendës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfrid janë për vizitë në Sofje. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell ditë më parë tha se ai po vendos një afat kohor për zgjidhjen e mosmarrëveshjes deri në fund të qershorit dhe paralajmëroi se do të kishte një krizë serioze në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor nëse kontesti nuk zgjidhet.
Një tjetër veto nga Bullgaria dhe ne po hyjmë në një nga krizat më të vështira politike në këto 30 vite, ndërsa rajoni edhe më shumë do të largohet nga agjenda euroatlantike, thotë analisti politik, Dame Çkatroski. “Personalisht mendoj se do të hyjmë në krizën më të vështirë politike që nuk mund të krahasohet me asnjë të tanishme. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ndoshta nëse do të ketë një veto tjetër kjo qeveri do të bjerë më së voni deri në shtator. Por çështja është se çfarë atëherë, pas një vetoje tjetër, do të duhen shumë biseda mes partive politike dhe presidentit. Qeveria kalimtare nuk përjashtohet deri në zgjedhje, edhe pse VMRO-DPMNE i kërkon, do t’i marrin pak më vonë se sa mendojnë. Gjithçka është në dorën e Sofjes, nëse nuk do të ketë veto ose një nisje të kushtëzuar të negociatave me BE-në, atëherë do të duhen sërish negociata politike dhe marrëveshje. Jemi duke hyrë në një krizë politike me shumë gjëra të hapura që i kemi lënë mënjanë deri tani”, ka deklaruar Dame Çkatroski, analist.
Ndërkaq, analisti politik, Selim Ibraimi thotë se vendi jonë është në krizë me dekada nga probleme të brendshme që s’kanë të bëjnë fare as me BE-në e as me Sofjen. “Nuk besoj se do të ketë krizë me BE pasi qarqe të caktuara të qeverisë në Shkup dhe diplomacisë nuk janë të gati për kompromis me Sofjen dhe presin ndonjë moment tjetër. Maqedonia e Veriut është në krizë me dekada nga probleme të brendshme kronike dhe që s’kanë lidhje as me BE-në dhe as me Bullgarinë. Andaj shtyrja e datës së fillimit mund të shfrytëzohet për reforma të vërteta brenda vendit. Ndryshe zërat se nëse nuk do të ketë datë në qershor mund të kemi zhvillime në disfavor të MV-së nuk qëndrojnë. Dhe njoftimet për zgjedhje të parakohshme mund të shihen si presion ndaj BE-së dhe Bulgarisë. Maqedonia e Veriut tash për tash nuk rrezikohet nga asnjë shtet dhe çështjet duhet të nisë t’i zgjedhë që tani për hyrje në BE. Mos të kërkohen fajtorët jashtë vendit dhe tek fqinjët”, ka deklaruar Selim Ibraimi, analist.
Ndryshe, Borrel kujtoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi, janë plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet kundër Rusisë. Ai shtoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në listën e vendeve armike të Moskës dhe kjo do të ketë një çmim. Pallati i Eliseut tha se pas bisedave telefonike të Macron me Kovaçevskin, Radevin dhe Petkovin, qëllimi i tyre ishte të inkurajonin të dy vendet që shpejt të vazhdojnë dialogun për kontestin. Ndërsa nga pres qendra e Qeverisë në Shkup thanë se Kovaçevski dhe Macron janë pajtuar se nuk ka kohë për të humbur dhe theksuan se vonesa e mëtejshme e fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veruit në BE mund të ketë pasoja serioze rajonale dhe të hapë dyert për rritjen e ndikimit të palëve të treta në rajon. Komisioneri i BE-së, Didier Reynders, i cili zëvendësoi Oliver Varhei-n në Parlamentin Evropian gjatë një debati mbi raportin e përparimit të vendit të BE-së, bëri thirrje që bisedimet me Maqedoninë e Veriut, si dhe me Shqipërinë, të fillojnë përpara përfundimit të presidencës franceze në 30 qershor. (koha.mk)