Prokuroritë të stërngarkuara, prokurorë nuk ka mjaftueshëm

18

Shkup, 20 tetor – Prokuroritë themelore dhe të larta publike në shtet funksionojnë me numër të zvogëluar të prokurorëve publik. Këshilli i prokurorëve publik në Planin e tij strategjik 2020-2023 të publikuar kohë më parë, shprehet se në vitin 2019, postin e prokurorit publik është dashur ta ushtrojnë gjithsej 257 prokurorë publik, ndërsa të plotësuara kanë qenë 200 vende të prokurorëve publik, ose 57 prokurorë publik më pak.

Në përputhje me kompetencën e rritur të prokurorive publike pas miratimit të Ligjit për procedurë penale (që zbatohet prej 1 dhjetorit të vitit 2012), në Planin strategjik të PSP-së, thuhet se numri i përgjithshëm i prokurorëve nuk është i mjaftueshëm, dhe prokuroritë tashmë me vite të tëra përballen me ngarkesë tepër të madhe.

– Krahas pritjeve për numër të rritur të prokurorëve, përkundrazi numri i prokurorëve është zvogëluar në të shumtën e rasteve për shkak të largimit të natyrshëm, gjegjësisht përmbushjes së kushteve ligjore për pensionim, si dhe për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kuadrove për prokurorë publikë të cilët e kanë mbaruar Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve publik, shprehen nga Këshilli i prokurorëve të RMV-së.

Me krahasimin e punës dhe numrit të prokurorëve publik para miratimit dhe zbatimit të LPP-së së ri, mund të shqyrtohet se me vëllim të rritur të punës së prokurorive publike funksionojnë me numër të zvogëluar të prokurorëve publik. Kështu në vitin 2012 në prokuroritë themelore publike është vepruar për gjithsej 43.216 autorë të veprave penale, në vitin 2013 për gjithsej 43.335 autorë të veprave penale, derisa në vitin 2019 prokurorët publik kanë vepruar sipas kallëzimeve për gjithsej 45.073 autorë të veprave penale. Në prokuroritë e larta publike, nga ana tjetër, në vitin 2013, është vepruar sipas lëndëve për 31.372 autorë të veprave penale, ndërsa në vitin 2019 për 34.327 autorë të veprave penale.

– Numri i prokurorëve publik që përmbushin kushtet për realizimin e pensionit në vitet 2020-2023, në përputhje me ligjin është gjithsej 37. Duhet të merret parasysh se në përputhje me Ligjin për marrëdhënie të punës, këta prokurorë publik mund ta vazhdojnë marrëdhënien e punës në maksimum edhe për tre vite, gjë që paraqet rrethanë që do ta ngadalësojë largimin e natyrshëm dhe pjesërisht mund t’i zbusë pasojat nga mungesa e kuadrove të prokurorëve publik, sqarojnë nga Këshilli i prokurorëve publik.

 

Të ulet kohëzgjatja e trajnimeve në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik

Analizat e Këshillit të prokurorëve publikë tregojnë se kandidatët për prokurorë publik që në periudhën e ardhshme do të mbarojnë Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik nuk do ta kompensojnë në tërësi largimin e natyrshëm të kuadrit të prokurorëve publik.

– Hyrja e kuadrove të reja nuk do ta zbusë, e as nuk do ta zgjidhë mungesën e kuadrit të prokurorisë publike. Për ato arsye nevojitet të bëhen ndryshime ligjore, që do të mundësojnë kohëzgjatja e trajnimit të zvogëlohet, ndërsa përdorimi i mjeteve juridike të mos e prolongojë fillimin e trajnimit. Gjithashtu, pranimi i kandidatëve për prokurorë publik, duke marrë parasysh juridiksionin lokal të prokurorive themelore publike ku ka mungesë të prokurorëve publik dhe gatishmërisë së kandidatëve që postin e prokurorit publik ta ushtrojnë në ato prokurori publike, shprehen nga PSP-ja në Planin strategjik për periudhën e viteve 2020-2023.

Ndryshimet ligjore, sipas tyre, mund të zbatohen edhe në mënyrën që do të ushtrojë pranim në AGJPP të RMV-së, çdo vit në numër më të madh të kandidatëve ose do të bie pjesa praktike e trajnimit me çka do të mundësohet që një numër më i madh i kandidatëve ta mbarojnë Akademinë.

– Mënyra e këtillë e trajnimit dhe pranimit të jetë deri në sigurimin e kuadrove të mjaftueshme për funksionimin normal të prokurorive publike të RMV-së, bëjnë të ditur nga Këshilli.

Në Planin strategjik të Këshillit të prokurorëve publik theksohet se të dhënat e grumbulluara tregojnë se prokuroritë themelore publike Dellçevë dhe Shën Nikollë do të mbeten pa asnjë prokuror publik, prokuroritë themelore publike Radovish, Resnjë, Dibër, Berovë dhe Gjevgjeli do të kenë nga vetëm një prokuror publik, ndërsa Prokuroria Themelore Publike në Kriva Pallankë një kohë të gjatë tashmë është pa prokuror publik. Pjesa më e madhe e prokurorive themelore publike, si dhe prokuroritë e larta publike dhe Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të kenë mungesë të konsiderueshme të kuadrit të prokurorëve publik.

– Gjendja e këtillë është veçanërisht brengosëse, meqë do ta cenojë funksionimin e prokurorisë publike në tërësi, kjo do të reflektohet në efikasitetin e ndjekjes penale, të efikasiteti të sistemit të përgjithshëm gjyqësor, e me këtë do të cenohet edhe mbrojtja e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve. Pranimi në Akademinë të bëhet për prokurori konkrete themelore publike me përmendjen e sa kandidatëve, për cilën prokurori themelore publike janë të nevojshëm, kështu që në përputhje me këtë pranimi i kandidatëve të bëhet me shënimin e saktës se cili kandidat për cilën prokurori trajnohet, konsiderojnë nga Këshilli i prokurorëve publik.

Njëherë prej atje shtojnë se për funksionimin e azhurnuar dhe ligjor në përputhje me dispozitat e Ligjit për procedurë penale, nevojitet që numri i prokurorëve publik të rritet, si dhe të ndryshohen dhe mënjanohen zgjidhjet ligjore që e vështirësojnë prodhimin e kuadrit të prokurorëve publik në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik.

Mes tjerash, në Planin strategjik të PSP-së ka të dhëna edhe për punën e tyre gjatë vitit 2019 ku thuhet se është vepruar sipas gjithsej 171 parashtresave, që në raport me vitin 2018 kur janë evidentuar 201 parashtresa është zvogëlimi i vëllimit të punës për 30 parashtresa ose për 15 për qind. Gjatë vitit 2019 nga radhët e kandidatëve me Akademi të mbaruar për gjykatës dhe prokurorë publik janë zgjedhur 15 prokurorë publik. Derisa gjatë vitit 2020 nga radhët e kandidatëve me Akademi të mbaruar për gjykatës dhe prokurorë publik janë zgjedhur tre prokurorë publik.