Omer XHAFERI
Shkup, 5 mars – Përforcimi i sistemit të të dhënave personale në Prokuroritë Publike të Maqedonisë, duhet të përmirësohet me sigurimin e resurseve njerëzore, teknike dhe financiare. Ky rekomandim është përfshirë në raportin e fundit të punës të Drejtorisë për sigurimin e të dhënave personale (DSDHP), ku është konstatuar se ndarja e detyrave apo obligimeve nuk zbatohet në nivel të duhur, si rezultat i të cilave do ta ulej rreziku i keqpërdorimit të të dhënave personale, shkruan gazeta KOHA. Kontrollet dhe vizitat të cilat DSDHP, i ka realizuar gjatë vitit 2017 në pothuajse të gjitha prokuroritë te vendit, përfshi edhe Prokurorinë Republikane, është konstatuar se 46 për qind nga këto prokurori, pjesërisht i zbatojnë masat tekniko-organizative, për sigurimin e të dhënave personale. Pavarësisht faktit se Prokuroritë Publike të Maqedonisë, në mase të madhe janë angazhuar në mbrojtjen e të dhënave personale, nga rastet të cilat i hetojnë, raporti i DSDHP, vërteton se mbi 50 për qind të prokurorive kanë mungesë të kuadrit teknik për sigurimin e këtyre të dhënave.
Nevojat për rritjen e kuadrit të IT-së, në Prokuroritë e Maqedonisë, paraqet njërin prej rekomandimeve kryesore të DSDHP, ku mes tjerash thuhet se pozita e oficerit për të dhënave personale duhet të forcohet dhe jo të jetë formale, siç ka qenë deri më tani.
“Administratoret e informatikës dhe oficerët për sigurimin e të dhënave personale duhet të fillojnë me realizimin e kontrolleve të rregullta dhe trajnimin e të gjithë të punësuarve në prokuroritë, në drejtim të rritjes së sigurisë më të madhe të të dhënave personale dhe zbatimin e masave tekniko-organizative për mbrojtjen e të fshehtësisë së këtyre të dhënave “, thuhet, në raportin e Drejtorisë për sigurimin e të dhënave personale.
Në mesin e shumë rekomandimeve të DSDHP, thuhet se pavarësisht pozitës hierarkike, prokurorët në të ardhmen duhet të kujdesën më tepër për sigurimin e të dhënave personale dhe njëkohësisht rritjen e bashkëpunimit me oficerët të angazhuar për mbrojtjen e të dhënave personale.
Analiza e realizuar nga mbikëqyrja e Prokurorive Publike, siç thuhet në raportin e DSDHP, ka dëshmuar se sfida më e madhe e prokurorive ne vende, paraqet rruajtja e të dhënave personale, pas përfundimit të procedurave para- hetimore e hetimore. Kontrollet e realizuara gjatë vitit të kaluar, njëkohësisht kanë vërtetuar se dy të tretat e prokurorive, deri më tani nuk i kanë asgjësuar materialet me të dhëna personale. Shkatërrimi i këtyre materialeve nuk ishte bërë, përkundër faktit se afati për rruajtje ne tyre kishte kaluar. Nga mbikëqyrja e punës së prokurorive, po ashtu është zbuluar një fakt shqetësues, se disa prokurori, nuk i kanë asgjësuar materialet të cilëve afati i kishte kaluar 65 vite më parë.
Në këtë drejtim, nga DSDHP, kanë rekomanduar që prokuroritë në të ardhmen duhet të respektojnë, njërin prej parimeve themelore të sigurimit të të dhënave personale gjatë përpunimit të tyre, gjegjësisht dokumentacionet me të dhëna personale të sigurohen në formë e cila mundëson identifikimin e subjekteve të të dhënave personale, jo më gjatë se sa është paraparë me afatin ligjor. Me arritjen dhe përmbushjen e qëllimeve të tyre, prokuroritë, gjithashtu në pajtim me ligjin t’i asgjësojnë këto materiale apo të njëjtat t’i mbajnë duke ruajtur identitetin (të dhënat personale), për hulumtime statistikore, historike apo shkencore. (koha.mk)