Pas katër vjetësh qëndrimi në arrati autoritetet malazeze ditë më parë kanë prangosur ish-anëtarin e grupit paramilitar “Çakallët” Predrag Vukojeviqin, i quajtur “Magjo”, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e 46 civilëve shqiptarë në vitin 1999 në fshatin Lubeniq. Edhe pse ai dyshohet për vrasjen e disa civilëve në një fshat të Pejës, emri i tij nuk figuron në databazën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila është kompetente për hetimin e krimeve të luftës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk e ka idenë më të vogël nëse ish-anëtari i grupit paramilitar “Çakallët”, Predrag Vukojeviqin, i quajtur “Magjo”, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e 46 civilëve shqiptarë në vitin 1999 në fshatin Lubeniq, është i përfshirë në lëndën për “Krime lufte në Kosovë”. Vukojeviqi është arrestuar nga autoritetet malazeze sipas një urdhërarrestimi ndërkombëtar në INTERPOL, të lëshuar nga Prokuroria për Krime Lufte në Serbi. Derisa kjo e fundit ka lëshuar urdhërarrestim ndërkombëtar kundër Vukojeviqit, për Prokurorinë Speciale të Kosovës ky emër është ende i panjohur. Zyrtarë të kësaj Prokurorie bëjnë të ditur se në databazën e PSRK-së nuk gjendet një emër i tillë. Zyrtari i lartë për komunikim me publikun nga Prokuroria e Shtetit, Bedri Gashi, pohon se lënda për vrasjet e civilëve shqiptarë në fshatin Lubeniq gjendet ende në duart e EULEX-it dhe për të mësuar nëse Predrag Vukojeviqin është pjesë e kësaj lënde Prokuroria do të mësojë posa lënda të transferohet te vendorët. (zëri.info)