Opozita beson se edhe pse është një kohë e shkurtër, ende ka kohë për ta miratuar ligjin deri në shpërbërjen e Parlamentit. Ndërkaq lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë se është i gatshëm që të diskutojë me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, që të arrihet një marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë Publike
Zenel MIFTARI
Shkup, 20 janar – Kur kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në shpërbërjen e Parlamentit, koalicioni qeveritar ka filluar që të përshpejtoj procedurat për të miratuar ligjet të cilat janë në procedurë parlamentare dhe jo vetëm. Janë disa ligje të cilat presim që të miratohen para shpërbërjes së Parlamentit të planifikuar me 11 shkurt, që të shkohet në zgjedhje me 12 prill. Por si duket deklarata e komisionerit për zgjerim Oliver Varheji, se përparësi duhet t’i jepet ligjit për Prokurorinë Publike, dhe për të cilin Brukseli shpreson që të miratohet para se të shpërbëhet Parlamenti, ka shqetësuar partitë politike në vend. Deklarata e tij ka ngritur shqetësim në partitë politike të cilat janë të përfshira në bisedime për gjetjen e një kompromisi për Prokurorinë Publike. Por në publik janë ngritur dyshimet se a do të mund që ligji të miratohet para shpërbërjes së Parlamentit.
Pas deklaratës së Komisionerit europian, Qeveria e RMV-së, ka hartuar një projekt ligj të ri i cili i është dërguar edhe opozitës. Nga VMRO-DPMNE shprehen se në ditët në vijim do të analizojnë projekt ligjin dhe shpresojnë që javën e ardhshme mund të ketë një takim me grupet punuese. “Ky është Projektligji i katërt, i cili është ndryshe nga tre të kaluarit të cilat janë në procedurë Parlamentare. Do të ishte më korrekte nga shumica Parlamentare që të tërheq këtë Projektligj, që të mundemi të diskutojmë për Projekt ligjin e ri të sapo propozuar. Vlen të ceket se përsëri është bërë një përpjekje ligjore që ekipi i PSP-së të transferohet në ekipin e Vilma Ruskoskës, e cila tani është zëvendësuese e Janevës”, u shpreh Antonio Miloshovski, nga VMRO-DPMNE.
Opozita beson se edhe pse është një kohë e shkurtër, ende ka kohë për ta miratuar ligjin deri në shpërbërjen e Parlamentit të planifikuar më 11 shkurt. Gjithashtu edhe shumica parlamentare shpreson që të marr sa më shpejt një përgjigje nga partia më e madhe opozitare në vend.
“Shpresoj që oferta e re për zgjidhjen ligjore do të jetë e pranueshme për opozitën, që përmes një debati konstruktiv të sjellim ligjin me konsensus. Sepse një ligj i tillë mund të jetë i mirë vetëm nëse miratohet me konsensus”, tha Senazhana Kalevska Vançeva, nga LSDM.
Ndërkaq lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë se është i gatshëm që të diskutojë me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, që të arrihet një marrëveshje për Ligjin e Prokurorisë Publike. Ndryshe ai tha se në Projekt ligjin e ri nuk do të ketë PSP, ndërsa lëndët e kësaj prokurorie janë nën juridiksionin e prokurorisë së rregullt, e cila sipas Zaevit duhet të kontribuojë në një atmosferë sa më të qetë, në të cilën palët do të pajtoheshin. “Miratimi i këtij ligji duhet të bëhet deri sa është duke punuar Parlamenti sepse me miratimin e këtij ligji ne do t’i japim një argument plus Eurokomisarit dhe vendeve të BE-së që të sigurohemi që BE përfundimisht të jep dritën e gjelbër për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Para shpërbërjes së Parlamentit, kanë ngelë në gjysmë të rrugës edhe disa nisma, të cilat nuk arritën të gjejnë konsensusin e nevojshëm ndërpartiak. Kohë më parë u diskutua nisma për ndryshimin e njësive zgjedhore nga gjashtë, sa janë aktualisht, në një njësi zgjedhore. Kjo nismë ishte marrë nga partitë e vogla parlamentare e që mbështetet edhe nga LSDM-ja. Por dy partitë tjera, BDI-ja në pushtet dhe VMRO DPMNE-ja në opozitë, në Komisionin parlamentar për sistem politik kanë dorëzuar afër gjashtëmijë amendamente, për të bllokuar ndryshimet që janë iniciuar nga partitë e vogla parlamentare. Paraqitja e një numri kaq të madh amendamentesh e anuloi për një kohë të pa caktuar nismën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. (koha.mk)