Këshilli i Prokurorëve Publikë, pozita e kryeprokurorit të shtetit, shefi i Prokurorisë së Shkupi, shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të gjitha udhëhiqen nga kuadro joshqiptar. Zëvendëskryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Arbër Isaku, e pranon se përfaqësimi i shqiptareve në prokuroritë publike nuk është në nivelin e duhur, ndërsa fajtor e bën Akademinë për Prokurorë dhe Gjykatës
Omer XHAFERI
Shkup, 22 shkurt – Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut i paraprinë sistemit të prokurorive publike sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në pozita drejtuese. Rasti më i freskët i përzgjedhjes së një kandidati shqiptar për pozitën më të lartë në hierarkiken e gjyqësorit ishte votimi i gjykatëses Besa Ademi, për kryetare të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut. Gjykatësja Ademi në këtë pozitë vjen në vend të gjykatësit Jovo Vangellovski, i cili në vitin 2019 u shkarkua me arsyetim se e ka shkelur procedurën për lirimin nga paraburgimi afaristin e akuzuar në rastin “Trust”, Sead Koçan, shkruan gazeta KOHA.
Me veprime të kësaj natyre dhe afera tjera – Gjykata Supreme dy herë radhazi u gjend në raportin e Pribes. Brenda kompleksit të gjykatave në Shkup, shqiptarët e udhëheqin edhe me Gjykatën Civile. Ndërkohë, përfaqësimi i shqiptarëve në Gjykatën Penale të Shkupit dhe atë të Apelit lë shumë për të dëshiruar.
Sidoqoftë, një situatë krejtësisht tjetër është më përfaqësimin e shqiptarëve në hierarkinë e Prokurorisë Publike, posaçërisht në postet udhëheqëse të prokurorëve që funksionojnë në Shkup, ku edhe procedohet numri më i madh i lëndëve penale në nivel shtetëror. Këshilli i Prokurorëve Publikë, pozita e kryeprokurorit të shtetit, shefi i Prokurorisë së Shkupi, shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të gjitha udhëhiqen nga kuadro joshqiptar.
Zëvendëskryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Arbër Isaku, për gazetën KOHA, shprehet se përfaqësimi i shqiptareve në prokuroritë publike nuk është në nivelin e duhur, ku si shkak i kësaj gjendje – fajtore është Akademia për Prokurorë dhe Gjykatës. “Edhe pse Këshilli i Prokurorëve Publikë përcakton në çdo dy vite numrin e dëgjuesve në ketë Akademi. Akademia nuk mundet t’i përfshijë të gjithë atë kandidatë s’i dëgjues për shkak se nuk ka kapacitet t’i pranojë të gjithë këta kandidatë që janë të nevojshëm për Prokurorinë. Këshilli i Prokurorëve Publik në bazë të listës që e merr nga Akademia, i zgjedh prokurorët nëpër prokurorit themelore”, thotë Isaku
Ai, mes tjerash thekson se prej njëmbëdhjetë anëtareve të KPP-së, tre janë të bashkësisë etnike shqiptare.
“Kryetari si dhe zëvendëskryetari i KPP-së zgjidhet nga vetë Këshilli me shumice votash. Kryeprokurori zgjidhet nga Parlamenti i Republikës se Maqedonisë se Veriut, ndërsa KPP lëshon vetëm mendim mbi kandidatët e mundshëm. Në Prokurorinë Publike – nga dhjetë prokurorë, katër janë shqiptarë”, thotë Isaku. Kuadro shqiptarë në pozitë drejtues në sistemin e prokurorive publike hasim edhe te Prokuroria e Lartë e Shkupit dhe ajo e Gostivarit. Ndryshe, aktualisht sipas të dhënave jozyrtare, numri i prokurorëve publik në vend shënon stagnim, gjegjësisht kjo ndodh për shkak të përmbushjes së kushteve për pensionim dhe dorëheqjeve për shkaqe private. (koha.mk)