Burime të Indeksonline brenda prokurorisë kanë treguar se Krasniqit mund t’i zgjatet edhe për disa javë masa e paraburgimit, pas procedurës hetimore për veprën penale të kryer nga deputeti i VV-së. “Pas 24 orësh të dyshuarit mund t’i vazhdohet paraburgimi për 1 muaj ose mundet të marret një masë e caktuar tjetër. Ky e ka e dhe një masë tjetër për një vepër penale”, ka thënë ky burim. Ndryshe, Qeveria e Kosovës dje u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast në mënyrë meritore, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të paanshme. “Akt tërësisht i papranueshëm, ajo çfarë ndodhi në studion e TV Klanit, mes deputetëve Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka. Akte të tilla agresive duhet të dënohen dhe u bëj thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast në mënyrë meritore, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të paanshme. Ftoj të gjithë qytetarët e vendit, e veçmas zyrtarët e shtetit, përkatësisht përfaqësuesit e popullit, që të kursehen nga përdorimi i diskursit të dhunshëm, njëherësh të debatojnë në mënyrë të qytetëruar për të gjitha çështjet, duke shmangur dhunën dhe agresionin”, thuhet në reagim.