Shkup, 21 gusht – Prokuroria Publike kërkon paraburgim për prokuroren publike speciale Katica Janeva për shkak të dyshimit të bazuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve, lidhur me lëndën “Zhvatja”, njofton Koha.mk
Prokurori publik shtetëror Lubomir Joveski në konferencë për shtyp kumtoi se nga dëshmitë deri tani të siguruara, ka baza për zgjerimin e hetimit për “Reket” dhe ndaj Katica Janevës, e cila është e dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve për shkak të fitimit të dobisë pronësore.
Jovevski tha se ka argumente se Janeva ka marrë dobi personale prej rreth 290 mijë denarësh duke ndikuar në procedurë dhe duke punuar për lehtësime lidhur me pozitën e të dyshuarit në rastin “Perandoria”.
Theksoi se prokurorja speciale publike e ka keqpërdorur pozitën shtetërore dhe ka realizuar një dobi personale me këtë, fillimisht ka ndikuar për lirimin e arrestit dhe kthimin e pasaportës, ndërsa më pas ka dhënë propozim që të lehtësohet pozita e të dyshuarit për rastin “Perandoria” me pranimin e tij si dëshmitar në procedurë.
Policia pasdite me urdhër të PP-së e ka arrestuar Katica Janevën në shtëpinë e saj në Kozle të Shkupit. Ajo e shoqëruar nga policia u soll në PSP.
Prokurorja Vilma Ruskoska konfirmoi se policia ka hyrë në PSP me urdhëre që të marrë kompjuterin e Janevës.
Pritet që Janeva nga PSP-ja të nxirret para gjykatësit në procedurë paraprake që duhet të vendosë për kërkesën e PP-së për shqiptimin e masës së arrestit.
Katica Janeva, e cila përmendet tek video-materialet e publikuara nga gazeta italiane “La Verita”, dje u mor në pyetje në Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar për rastin “Zhvatja”. (koha.mk)