Shkup, 26 janar – Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon që deputetes Zhaklina Peshevska t’i zëvendësohet arresti shtëpiak me masa të kujdesit, ndërsa për Igor Durlovskin paraburgimi t’i zëvendësohet me arrest shtëpie. Për të dyshuarit e tjerë për ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë kërkohet vazhdim i masave tashmë të shqiptuara.
Kërkesa nga Prokuroria Themelore Publike i është dorëzuar Gjykatës Penale Shkup 1.
“Prokurori kompetent kërkoi nga gjykata për personin ZH.P. të hiqet masa e arrestit shtëpiak dhe e njëjta të zëvendësohet me masa të kujdesit, ndërsa për të dyshuarin I.D. masa e paraburgimit të zëvendësohet me masën – arrest shtëpiak. Për personat e tjerë të dyshuar prokuroria mbetet në kërkesën për vazhdim të masave të shqiptuara paraprakisht për sigurim të pranisë dhe për zhvillim të papenguar të procedurës penale”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë themelore publike.