Shkup, 17 janar – Prokuroria Publike do të zbatojë hetim kundër pesë personave – dy shtetas të Maqedonisë dhe tre shtetas shqiptarë për prodhimin e paautorizuar dhe lëshimin në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Me propozimin e Prokurorisë, Gjykata pesë të dyshuarve u përcaktoi paraburgim prej 30-ditëve.
“Prokurori Publik Kompetent prej Prokurorisë Publike Themelore për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit solli urdhër për zbatimin e hetimit kundër pesë personave – dy shtetas të Maqedonisë dhe tre shtetas të Shqipërisë. Ekziston dyshimi se personat kanë kryer vepër penale prodhim të paautorizuar dhe lëshimin në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, kumtoi sot Prokuroria.
Të dyshuarit, siç është theksuar në kumtesë, në mënyrë të paautorizuar për shkak të shitjes kanë blerë dhe bartur drogë narkotike – marijuanë.
“Pas një marrëveshje paraprake, shtetasit e Maqedonisë kanë huazuar automjet me të cilin duhet të merrej droga. Pasi është bërë pagesa për dërgesë, një prej të dyshuarve me automjetin e huazuar është nisur drejt vendit të dakorduar në afërsi të vendkalimit kufitar Blato. Sipas udhëzimeve, ai i ka marrë dy çantat të cilat janë lënë nga persona të tjerë, ndërsa në të cilat ka qenë e paketuar droga dhe është nisur drejt Dibrës ku është dashur përsëri të takohet me dy prej shtetasve të dyshuar shqiptarë. Duke ecur nëpër rrugët e Dibrës, i dyshuari e ka parë një pikë policore, e ka lënë automjetin e huazuar dhe ka hyrë në një automjet taksi me qëllim që të vazhdojë drejt vendit të dakorduar për takimin, por automjeti taksi është ndaluar nga nëpunësit policorë. Në prani të të dyshuarit është kryer bastisje e automjetit të braktisur dhe është gjetur droga me neto masë të përgjithshme prej 20,2 kilogramë”, thonë nga Prokuroria.
Duke vlerësuar se janë plotësuar bazat ligjore, prokurori gjykatësit të procedurës paraprake në kuadër të Gjykatës Themelore Shkup 1 i ka dorëzuar propozim për përcaktimin e masës së arrestit për të gjithë të dyshuarit. Këtë propozim Gjykata e ka pranuar dhe me vendimin e pesë të dyshuarve u ka përcaktuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditëve.