Shkup, 6 maj – Aco Toshta, Toni Trajkovski dhe Goran Angellov, tre nga katër personat që tërheqin zvarrë deputetin Ziadin Sela, pas 12 orësh të mbajtur në polici dhe më pas të pyetur në prokurorinë e Shkupit, janë lënë të lirë, shkruan gazeta KOHA. Madje, Prokurori i rastit ka pezulluar hetimet ndaj të tre personave, sepse siç ka konstatuar Prokuroria, nuk ka dëshmi se kanë sulmuar deputetët! Në profilin e tij në Facebook, Toshta ironizon duke shkruar se “prokuroria po bën punë profesionale”, ndërsa ka ftuar sojin e tij që ai i quan “patriot”, të vazhdojnë protestat për mbrojtjen e Maqedonisë. “Më duhet t’ju informoj se pas 12 orësh marrje në pyetje, prokurori pasi pa filmimet dhe të gjitha dëshmitë, konstatoi se unë nuk kam shkaktuar dhunë, jam i pafajshëm dhe u pezulluan të gjithë hetimet ndaj meje. Prokuroria e Shkupit po bën punë profesionale. Lajm i mirë është se Gorani (Angellov) u lirua si i pafajshëm. Shihemi nesër në protestë”, shkruan Toshta në profilin e tij. Nga ajo që po shihet deri më tani, Prokuroria e Zvërlevskit, i afërt më VMRO-në dhe i paraqitur në përgjimet e opozitës, ka vendosur që asnjë nga huliganët e paraqitur edhe në filmimet e shumta, të mos akuzohet për “tentim vrasje”, ose për “shkaktom lëndime të rënda”, por që të gjithë të akuzuarit të ngarkohen me vepër penale “pjesëmarrje në turmë” dhe “pengim të personit zyrtar”! Që ironia të jetë më e madhe, madje asnjëri nga organizatorët kryesor nuk është marrë në përgjegjësi, përkundrazi – protestat po vazhdojnë, ndërsa udhëhiqen nga personat e njëjtë që thërrisnin në dhunë të enjten e 27 prillit. Boris Damovski, Igor Durllovski dhe Bogdan Ilievski, tre personat kryesor të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, as nuk janë marrë në pyetje, edhe pse në secilin fjalim, të njëjtit thërrasin në dhunë, ndërsa natën e 27 prillit, koordinonin huluganët, raporton KOHA. Përkujtojmë që, protestuesit shqiptarë të rastit “Monstra” vuajtën dënim deri në 2.5 vjet burg vetëm pse kishin thyer disa xhama të gjykatës së Shkupit, ndërsa u dënuan me procedurë të përshpejtuar po nga prokuria e Zvërlevskit dhe gjyqësia e VMRO-së. (koha.mk)