Prokuroria Themelore në Prizrennë bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, ka njoftuar se ka nisur hetimet në lidhje me importimin e mishit nga Belgjika me cilësi të dyshimtë.
Hetimet po zhvillohen për kryerjen e veprës penale “prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”.
Kjo prokurori ka kryer bastisje dhe kontroll në shtëpitë dhe lokalet e subjekteve juridike, njëra në territorin e Rahovecit dhe tjetra të Suharekës dhe ka sekuestruar provat e nevojshme për procedurë penale, si dhe sasi të mishit me afat të skaduar.
Prokuroria Themelore në Prizren do të vazhdojë hetimet në rastin konkret ndërsa Prokurori i Shtetit kërkoi nga të gjithë ata që kanë informata lidhur me këtë, që t’i drejtohen prokurorisë dhe të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për zbardhjen jo vetëm të këtij rasti por edhe rasteve tjera për të cilat mund të kenë njohuri.