Omer XHAFERI
Shkup, 16 nëntor – Ministria e Mbrojtës edhe zyrtarisht i ka filluar përgatitjet e një sërë ligjesh, të cilët kryesisht lidhen me sigurimin e kontrollit të jashtëm dhe të pavarur për aktivitetet dhe punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkruan gazeta KOHA. Në njoftimin e publikuar në Regjistrin elektronik të shkresave gjyqësore, Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se plotësim-ndryshimeve do t’i nënshtrohen Ligji për prokurori publike, Ligji për shërbimin prokurorial, Ligji për Këshillin e prokurorëve, si dhe Ligji për procedurë penale. Përgatitja e propozim-versioneve, siç thonë nga kjo ministri, duhet të përfundojë deri më 24 nëntor. Kontrollin e punës së policisë të rregullt të MPB-së, dhe policisë së burgjeve, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në bazë të ndryshimeve të paralajmëruara, në të ardhmen pritet ta realizojë Prokuroria Publike. “Implementimi i mekanizmit të pavarur për kontroll të jashtëm, në legjislacionin tonë për pjesëtarët e MPB-së dhe policisë së burgjeve, paraqet njërin prej segmenteve të vendosjes së kontrollit nga ana e Prokurorisë Publike. Në kuadër të këtij mekanizmi kontrollues, rol të rëndësishëm planifikohet të kenë hetuesit e Prokurorisë Publike”, thuhet në arsyetimin ndryshimeve të paralajmëruara, raporton KOHA. Nevoja për kontroll të pavarur mbi punën e policisë së shtetit, siç thuhet në arsyetimin e Ministrisë së Drejtësisë, buron nga standardet e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe nga aktgjykimet e miratuara nga Gjykata e Strasburgut. Korniza aktuale ligjore, sa i përket punës së policisë dhe veprimeve të tyre, parasheh që kontrollin dhe hetimet në MPB-së ta realizojë Sektori për kontroll të brendshëm në këtë resor. Opinioni më i gjerë, përfshi edhe institucionet shtetëror, në këtë rast zyra e Avokatit të Popullit, pothuajse në të gjitha raportet e punës, e ka cilësuar këtë Sektor si tejet problematik, gjegjësisht vendimet për punën e nëpunësve që janë të angazhuar në këtë departament të policisë janë cilësuar si vendime selektive dhe aspak profesionale. Ndryshe, pas ndërrimit të pushtetit në qershor të këtij viti, duke ju referuar njoftimeve të MPB-së, thuhet se ndaj pjesëtarëve të policisë gjatë 3-4 muajve të fundit janë shqiptuar një varg masa disiplinore, përfshi edhe përjashtime nga puna. Ndryshe, kur jemi te kontrolli mbi strukturat e policisë, nga MPB kanë bërë të ditur se tre agjentë të policisë sekrete, tetë pjesëtarë të Byrosë për Siguri Publike dhe një anëtar i Drejtorisë së Gjashtë, i cili ka qenë i angazhuar për sigurinë e ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, e përbëjnë grupin e parë prej 12 policëve, të cilët kanë marrë vendime për përjashtim nga puna. Në arsyetimin e këtij vendimi nga Sektori për kontroll të brendshëm të policisë kanë theksuar se për personat e apostrofuar ekzistojnë dëshmi materiale se kanë marrë pjesë në sulmin brutal ndaj Parlamentit më 27 prill. (koha.mk)