Prokuroria dha urdhër për autopsi të trupit të vajzës së vdekur në Gostivar

Shkup, 6 nëntor – Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike dha urdhër për autopsi të trupit të vajzës 17-të vjeçare e cila ishte gjetur mbrëmë në ujërat e Vardarit.

Siç bën të ditur sot Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë, sipas informacioneve fillestare, vajza duke u kthyer nga shkolla, kishte kaluar përgjatë parkut të qytetit në Gostivar, ku ishte sulmuar nga një qen. Duke ikur nga qeni, ajo kishte rënë në ujërat e lumit. Kalimtarët e rastit kishin bërë përpjekje që ta ndihmojnë, por nuk kishin pasur sukses.

Trupi i pajetë ishte gjetur mbrëmë vonë rreth gjashtë kilometrave në rrjedhën e Vardarit, në afërsi të fshatit Balindol. Identifikimin e trupit e kishin kryer anëtarë të familjes së të ndjerës. Prokurori publik kreu ekspertizë në vendin e ngjarjes në të cilin vajza kishte rënë në lum dhe në vendin ku ishte gjetur trupi i saj. Ishin marr në pyetje disa dëshmitarë me qëllim që të vërtetohen faktet e sakta për ngjarjen.