Përmirësimi i bashkëpunimit të ndërsjellë për çështje me interes të përbashkët ishte tema e takimit të sotëm midis përfaqësuesve të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë me prokurorin e ri publik, Lubomir Joveski. Kryetari i SHGM-së Naser Selmani, siç kumtoi PPRM-ja, shfaqi shqetësim se në Maqedoni ekziston panik i mosndëshkimit të dhunës së gazetarëve. Selmani kërkoi nga Joveski që prokuroria sa më shpejtë t’i përpunojë këto lëndë me qëllim që dhunuesit të dalin para drejtësisë.
Ai u ankua se në periudhën e fundit Prokuroria i ka refuzuar paraqitjet për gjuhën e urrejtjes kundër gazetarëve pa argumentim serioz. Selmani kërkoi që Prokuroria sërish t’i shqyrtojë këto paraqitje dhe të shohë nëse prokurorët kanë vepruar me përgjegjësi. Është dakorduar të organizohen trajnime të përbashkëta për gazetarë dhe prokurorë me qëllim që të përmirësohet raportimi i gazetarëve dhe veprimi i prokurorëve për raste lidhur me lirinë e fjalës.
Prokurori publik Joveski premtoi se do të japë dinamikë për lëndët për dhunën kundër gazetarëve dhe do t’i shqyrtojë paraqitjet e refuzuara për gjuhën e urrejtjes kundër gazetarëve. Sipas tij bashkëpunimi i Prokurorisë dhe Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë është me interes të përbashkët.