Shkup, 16 gusht – Prokurori Burim Rustemi nga Prokuroria Speciale Publike sot duhet të japë deklaratë në Prokurori për krimin e organizuar për rastin “Zhvatja”.
Rustemi ishte thirrur të merrej në pyetje dje nga PP por për shkak të gjykimit për rastin “TNT” ku Rustemi e përfaqëson aktakuzën, u anulua marrja e tij në pyetje.
Nga fillimi i javës deklarata për rastin kanë dhënë prokuroret speciale Lile Stefanova dhe Elizabeta Josifovska.
Prokurorja Lile Stefanova së bashku me shefen e saj Katica Janeva janë përmendur në bisedimet dhe videot e incizuara që i publikoi edicioni i gazetës italiane “La Verita”, ndërsa me rastet “Zhvatja” dhe “Perandoria”. Nga PP tani për tani nuk zbulojnë nëse dhe kur do të thirret edhe Janeva.
Nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dje informuan se në pajtim me planin e konfirmuar ndërmerren veprime hetimore në drejtim të sigurimit të dëshmive dhe zbardhje të plotë të rastit “Zhvatja” dhe se është në vijim hetimi financiar dhe grumbullimi i materialeve dëshmuese që do të ndihmojë në konfirmimin e situatës faktike.
“Njëherit, një pjesë e pajisjeve të marra elektronike janë në ekspertizë, ndërsa për një pjesë bëhen përpjekje për dekriptim të përmbajtjeve të gjetura”, kumtuan nga Prokuroria Publike.
Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në dobi të procedurës, tërhiqet, nuk do të ndajë informacione paraprakisht për veprimet që i ndërmerr në lëndë dhe kështu edhe për personat që i ka thirr ose ka në plan t’i thirr për të dhënë deklaratë.
Hetimin për “Zhvatja” në Prokurorinë Publike e zhvillon shefja e krimit të organizuar Vilma Ruskoska.
Tani për tani të dyshuarit e vetëm për rastin “Zhvatja” Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski qëndrojnë në paraburgim. Prokuroria i akuzon për vepër penale “marrje të shpërblimit për ndikim kundër ligjor”, ndërsa i akuzuari i parë Jovanovski edhe për “pastrim parash dhe të ardhura tjera nga vepra penale”.