Shkup, 16 mars – Prokurorët shqiptarë Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta, kanë kundërshtuar rikualifikimin e akuzës nga “Vrasje”, në “Aksident Komunikacioni”, ndaj Boban Iliq, për rastin “Almiri i Vogël”, informon KOHA.
“Lidhur me rastin e njohur në opinion si “Rasti i Almirit të vogël”, ne Prokurorët republikan dëshirojmë ta njoftojmë opinionin e gjerë se me rastin e rikualifikimit të veprës penale “VRASJE’, e paraparë me nenin 123 alineja 2 pika 3 (Kodi penal i RM-së), në vepër penale nga sfera e komunikacionit të paraparë në nenin 300 alineja 2 lidhur me nenin 297 alineja 1 (Kodi penal i RM-së), si vepër e rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion, është bërë shkelje e parimeve themelore të Ligjit mbi Prokurorinë Publike siç janë: parimi i ligjshmërisë, i paanshmërisë i objektivitetit dhe i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të cilat njëherit janë edhe vlera themelore të Kushtetutës së RM-së.
Ne Prokurorët e Prokurorisë republikane të RM-së që nga fillimi i shqyrtimit të këtij rasti në Prokurorinë republikane kemi pas qëndrim dhe akoma i mbetemi këtij qëndrimi se Aktakuza Nr Ko 697/16 prej 19.12.2016 e Prokurorisë themelore të Kumanovës ka korresponduar plotësisht me veprimet e të akuzuarit siç ka qenë fillimisht i akuzuar për vepër penale “Vrasje” e paraparë me nenin 123 alineja 2 pika 3 e Kodit Penal të RM-së”, thuhet në reagimin e tyre.