Avokatit i Popullit pretendon se Prokuroria Publike nuk i heton mjaftueshëm vërejtjet dhe paditë e dorëzuara nga ana e tyre. Në raportin vjetor të punës së Avokatit të Popullit, thuhet se Prokuroritë nuk duhet ta injorojnë faktin kur ata i vërtetojnë shkeljet kushtetuese dhe ligjore ndaj qytetarëve. Në raport me qytetarët, fare më e mirë nuk është as MPB, e cila shpeshherë shqipton gjoba pa e pasur parasysh gjendjen faktike
Omer XHAFERI
Shkup, 11 prill – Prokuroria Publike nuk e respekton Avokatin e Popullit. Kallëzimet penale të iniciuara kundër nëpunësve policor për tejkalim të kompetencave nga zyra e Ombudsmanit, Prokuroria Publike shpesh herë i refuzon me arsyetime të shkurta “vepra nuk hetohet në bazë të detyrës zyrtare”. Këto vërejtje mund të gjenden në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2018, ku mes tjerash, thuhet se është shtuar numri i parashtresave që lidhen me mos ndërmarrjen e masave kundër denoncimeve dhe padive të qytetarëve, shkruan gazeta KOHA.
“Paditë janë dorëzuara deri te Prokuroritë në Shkup, Veles dhe Gostivar, për vepra të ndryshme penale. Për këto raste ne e kemi siguruar dokumentacionin e duhur, si dëshmi për zbatimin e forcës fizike, frikësimin dhe shkaktimin e lëndimeve ndaj qytetarëve, nga ana e nëpunësve policor. Shpeshherë këto masa janë të shoqëruara edhe me ofendime në baza etnike. Këto veprime e vënë në pikëpyetje mënyrën e zbatimi të ligjit. Kësisoj edhe njëherë e vërtetojnë nevojën e realizimit të një hetimi serioz, të plotë dhe objektiv me qëllim konstatim se vallë bëhet fjalë për zbatim apo shkelje të ligjit”, thuhet në raportin e Ombudsamnit.
Qëndrim i Avokatit të Popullit është se Prokuroria Publike, nuk i heton mjaftueshëm vërejtjet dhe paditë e dorëzuara nga ana e tyre. Në raportin vjetor të punës së Avokatit të Popullit, thuhet se Prokuroritë nuk duhet ta injorojnë faktin kur ata i vërtetojnë shkeljet kushtetuese dhe ligjore ndaj qytetarëve. Megjithatë, ata shprehen optimist se kjo çështje do të rregullohet pasi që Ombudsmani të filloi me punë në dy repartet e specializuara, për mbikëqyrjen e veprime policore dhe pjesëtarëve të policisë së burgjeve. Vërejtje tjetër e Avokatit të Popullit sa i përket punës së policisë janë shkeljet serioze gjatë procedurës për kundërvajtje. Nga procedimi i ankesave të qytetarëve siç thuhet në këtë Raport, është konstatuar se MPB u shqipton gjoba të larta qytetarëve, nuk e vërteton gjendjen faktike dhe nuk i dëgjon qytetarët. Këto vendime policor për kundërvajtje qytetarët i vendosin para aktit të kryem dhe të njëjti detyrohen ti paguajnë gjobat përmes përmbarueseve.
“Organet për kundërvajtje nuk i përfillin udhëzimet e tona dhe parimin e gjykimit të drejtë, aty ku është vërtetuar se personi i akuzuar për veprën penale/kundërvajtje ka të drejtë të gjykimi të drejtë dhe publik, para një gjykatë të pavarur dhe të barabartë”, thonë nga Ombudsmani. Brenda vitit të kaluar zyra e Avokatit të Popullit, ka shqyrtuar edhe parashtresa për problemet në pikat kufitare, kontrollet policore dhe mbajtja e disa personave të caktuar, të cilat asnjëherë nuk janë ndeshë me ligjin.
“Në bazë të këtyre ankesave, ku tregohet mbajtja e pa arsyeshme dhe tendencioze në pikat kufitare, pa ndonjë sqarim,për personat të cilët asnjëherë nuk kanë pasur problem me ligjin, ne zhvilluam takim dhe konsultim me funksionar të lartë të policisë. Gjatë këtyre takimeve ne kërkuam që të largohen nga evidenca elektronike e Ministrisë për Punë të Brendshme, personat për të cilët nuk zhvillohen asnjë lloj i procedurave penale dhe të cilat në pikat kufitare mbahen pa arsye, vetëm në bazë të ‘njohurive operative’”, thonë nga Avokati i Popullit. Kur flasin për këtë çështje, nga atje shtojnë se evidenca e personave që bien nën regjimin e kontrollit të detajuar në pikat kufitare duhet të jetë mirë e shqyrtuar, e arsyetuar dhe rregullisht e azhurnuar. Ndryshe, me qëllim kthimin e besimit te qytetarët, Avokati i Popullit ju rekomandon nëpunësve policore dhe Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zbatimin e normave ligjore, qasjen korrekte dhe profesionale, si dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. (koha.mk)