Nëse realizohet një aksion kontrolli, siç është vetingu, duhet të kihet kujdes mos të shkelet Kushtetuta dhe ligjet, thotë Aco Kolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publike, ndërsa arsyetohet se organet ndërkombëtare mund të jenë vetëm vëzhgues dhe jo vendimmarrës në veting
Omer XHAFERI
Shkup, 14 dhjetor – Organet ndërkombëtare në procesin e vetingut në Maqedoninë e Veriut, mund të marrin pjesë vetëm si këshilltar, pasi Prokuroria Publike është institucioni ligjor, i cili e kryen operacionin rreth punës së të punësuarve. Ky është qëndrimi i Aco Kolevskit, kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Publike, (KPP) i cili në pyetjen e gazetës KOHA, theksoi se rreth çështjes së azhurnimit dhe përgatitjes profesionale të prokurorëve, kontroll mund të kryejnë vetëm institucionet brenda Prokurorisë Publike. “Vetingu përfshinë segmente të ndryshme, duke filluar nga gjendja pronësore e prokurorëve publike dhe gjykatësve, mund të jetë përgatitja profesionale e tyre, azhurnimi në punë… Por, nëse ka dyshime për korrupsione, këtu ka organe tjera të jashtme, të cilët janë të obliguar të zhvillojnë hetime dhe t’i shqyrtojnë të gjitha rrethanat nëse ka dyshime se është bërë ndonjë vepër penale me korrupsion”, tha Kolevski. Tutje, ai shtoi se Prokuroria Publike pavarësinë si organ shtetëror e ka të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, gjegjësisht institucionet tjera siç deklaroi Kolevski, nuk guxojnë të përzihen në punën e tij.
“Po ashtu kemi edhe akte ligjore ku operacionalizohet kjo pavarësi e Prokurorisë Publike. Nëse realizohet një aksion i tillë, siç është vetingu, duhet të kihet kujdes mos të shkelet Kushtetuta dhe ligjet. Mendoj se Këshilli i Prokurorëve Publik duhet në mënyrë aktive të merr pjesë në këtë aksion. Qeveria e emëron Prokurorinë Publike dhe mbikëqyrje mbi punën e prokurorëve publik bën kryeprokurori i vendit. Në çdo moment ai mund të realizojë kontroll të çrregullt mbi punën e prokurorëve publike, përkundër kontrolleve të rregullta të cilët realizohen dy herë brenda vitit”, theksoi Kolevski. Për dallim nga Kolevski, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, tha se ekzistojnë disa modele të vetingut që mund të zbatohen, duke mos përjashtuar mundësinë edhe të përfshirjes së ndërkombëtare në Komisionet e kontrollit.
“Të mundshme janë më tepër opsione për procesin e vetingut. Njëra prej tyre është që vetingu të realizohet nga një komision i përbashkët me ndërkombëtarët, të cilët do të shqyrtojnë më shumë aspekte. Po ashtu, pastrimi mund të bëhet aktivisht përmes më shumë institucioneve. Duke filluar nga institucionet aktuale. Kemi edhe modele, të cilët zbatohen në vende tjera, ku komisioni e merr përsipër gjithë këtë proces. Ky proces duhet të zgjidhet në një procedurë me dy të tretat e votave”, është shprehur Deskoska. Ndryshe, ajo tha se debati dhe arritja e dy të tretave të votave për vetingun nuk mund të përfundojë para zgjedhjeve, të cilët janë caktuar për 12 prill vitin e ardhshëm. Megjithatë, ministrja Deskoska, u shpreh se i vjen mirë për ngritjen e vetëdijes dhe hapjen e debatit nga vetë organet gjyqësore se nevojiten korrigjime në punën e tyre. Sidoqoftë, procesi i vetingut në Maqedoninë e Veriut, gjatë tre viteve të kaluara nuk u realizua me arsyetimin se Bashkimi Evropian nuk ka dhënë dritë jeshile për një proces të tillë në vendin tonë. Komisioni Evropian në mbledhjen e muajit janar apo shkurt pritet të del me qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje tejet të rëndësishme për të ardhmen e sistemin të drejtësisë në Maqedoninë Veriut. (koha.mk)