Pas referendumit, që u tregua se është një enë e thyer në duart e pushtetit, opozitës maqedonase iu kanë shtuar orekset që të bëjë gatime sipas menysë së saj. Tani Mickovski ka dëshirë të prezantohet si shpëtimtar i vendit, duke shfuqizuar sistemin e drejtësisë që ishte ngritur për ta zhbërë piramidën kriminale të ish regjimit
Nga Emin AZEMII
Lideri opozitar Mickovski ka dhënë një ofertë tepër bujare. Ai ka kërkuar nga kryeministri Zaevi që menjëherë të heq dorë nga Marrëveshja me Greqinë dhe pastaj të shkohet në zgjedhje. “Populli të vendos”, ka thënë ai. Bujaria e opozitarit nuk ndalet me kaq. Ai ka premtuar se partia e tij do të përkrahë formimin e një institucioni prokurorial të ri, “për shkatërrimin e krimit të organizuar dhe korrupsioni menjëherë pas përfundimit të mandati të politizuarës PSP-së”. Por, kësaj here, sipas tij, në mënyrë të profesionalizuar dhe e udhëhequr nga Prokuror publik i zgjedhur në bazë të konsensusit të partive dhe i cili do të punojë për rastet e PSP-së, dhe njëkohësisht do të hetojë materialet e incizuara në mënyrë ilegale, për të cilin u tha se për shkak të mandatit të shkurtër nuk janë hetuar. Mickovski ka gjithashtu dëshirë që Prokuroria e re ta testojë edhe periudhën e punës së Qeverisë aktuale dhe të gjitha aferat që lidhen me Qeverinë, përfshirë dhe “parregullsitë e referendumit”, por edhe të gjitha materialet e theksuara nga përgjimi ilegal që kanë të bëjnë më Zoran Zaevin dhe LSDM-në.
Derisa lideri shpirtëror i opozitarëve po i bën gati batanijet për të përballur më lehtë dimrin në ndonjë qeli, një lider tjetër, që duket si hija e këtij të parit, po nxjerr nga mënga kushtëzime, që do t’ia kishin lakmi edhe kontrabandistët më të zellshëm të uiskit në vitet 20-30 në Amerikë. Vetëm me një dallim se uiski atëbotë përdorej për të shantazhuar sistemin legal fiskal amerikan, kurse ky lideri-hije i opozitës maqedonase synon të shantazhojë gjithçka që lidhet me penalitet e partisë së tij. Ai kërkon një Prokurori të re dhe paraprakisht shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës.
Pas referendumit, që u tregua se është një enë e thyer në duart e pushtetit me shumë plasaritje, opozitës maqedonase iu kanë shtuar orekset që të bëjë gatime sipas menysë së saj. Tani Mickovski ka dëshirë të prezantohet si shpëtimtar i vendit, duke shfuqizuar gjithë një sistem drejtësie që ishte ngritur për ta zhbërë piramidën kriminale të ish regjimit. Me fjalë të tjera, opozita maqedonase po e fton Zaevin të inkuadrohet në vallen që Gruevski e kishte ndërprerë dhe me këtë të fshihet kujtesa negative me gomën e madhe të kompromiseve të palogjikshme dhe tepër të pamoralshme.
Është goxha e rëndë ajo gomë që do të ndodhet në duart e cilido politikan. Pajtimi politik nuk nënkupton apriori shuarjen e sistemit të pavarur të drejtësisë. Likuidimi i drejtësisë në një vend që ende s’i ka mbyllur të gjitha aferat korruptive dhe kriminale, në fakt është likuidimi i politikave parimore që duhet të vendosen në raport me gjyqësorin. Një opozitë që kërkon Prokurori të re dhe bashkë me këtë edhe shfuqizim të Marrëveshjes së Prespës, nuk është larg fantazive për të projektuar ndonjë realitet ku ajo e sheh veten në krye të proceseve. Mirëpo kjo nuk është e mundur pa zgjedhje, kurse Maqedonia pati zgjedhje parlamentare më pak se para dy viteve dhe aty u vendos kush të shkojë në opozitë dhe kush të vijë në pushtet.
Tani për tani zgjidhja duhet kërkuar brenda Parlamentit. (koha.mk)