Qyteti i Shkupit, për herë të parë këtë vit, do të sigurojë një milion denarë, për të subvencionuar blerjen e biçikletave të përshtatura për njerëzit me nevoja të veçanta. Thirrja publike është aktive dhe zgjat deri më datën 31 të këtij muaji
Remzije BILALLI
Shkup,19 gusht – Përdorimi i biçikletës ka një numër të madh përfitimesh,është njëra ndër alternativat më të mira të mundshme për zvogëlimin e numrit të automobilave dhe autobusëve të cilët janë shkaktarë kryesor në ndotjen e mjedisit jetësor, po ashtu paraqet investim për një mjedisi të shëndetshëm jetësor duke krijuar shprehi për rritjen e kondicionit dhe përmirësimin e shëndetit tonë. Përveç kësaj përdoruesit mund të kursejnë edhe financiarisht si (blerjen dhe mirëmbajtjen e makinës,karburantin,parkimi…).
INFRASTRUKTURA E ÇIKLIZMIT
Shkupi ka një infrastrukturë çiklizmi rreth 60 km përgjatë rrugëve dhe 21 km rrugë çiklizmi në bregun e Vardarit. Në vitet e fundit, qyteti i Shkupit ka filluar projektin kapital për ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës ekzistuese “Shkupi qytet i çiklizmit” i cili do të lidhë bulevardet dhe rrugët në gjatësi prej 60 km. Deri më tani, më shumë se 20 kilometra nga këto rrugë janë ndërtuar, ndërkaq punohet në shtigje të reja me më shumë se 5 kilometrash, në disa nga vende. Paralelisht me infrastrukturën e çiklizmit Qyteti i Shkupit po punon gjithashtu për të rritur numrin e përdoruesve të biçikletave. Për dy vite me radhë janë dhënë fonde për subvencione, ku gjatë këtyre viteve kanë pranuar subvencione mbi 6,000 njerëz .
Edhe pse nuk ka statistika zyrtare nga Organizatat joqeveritare thonë se sipas vlerësimit të fundit pjesa e trafikut të biçikletave është më e madhe së 3%, e cila është normë shumë më e ulët se në vendet Evropiane.
Nga qyteti i Shkupit thonë se po punohet në zgjedhje të re sistematike, ekologjike dhe moderne për qytetin, të cilët kanë për qëllim rregullimin e trafiku dhe uljen e ndotjes së ajrit.
“Për shoqërinë, biçikleta është një mjet shumë i rëndësishëm për shkak se ata nuk e ndotin ajrin dhe mjedisin, ndryshe nga automjetet motorike,si dhe nuk shkaktojnë bllokimet e trafikut. Përdorimi i biçikletave është me rëndësi strategjike për Qytetin e Shkupit, i cili investon shumë fonde dhe kohë në infrastrukturën e rrugëve për biçikleta, përmes rindërtimit dhe ndërtimit të shtigjeve të reja të çiklizmit, instalimit të parkingjeve për biçikleta dhe pikave për riparimin e tyre”,deklaruan nga Qyteti i Shkupit për Gazetën Koha.
Projekti i fundit ishte subvencionimi për blerjen e biçikletave me qëllim që sa më shumë të përdoren biçikletat nga ana e qytetarëve. Komuna e qytetit ka ndarë 10 milion denarë për këtë qëllim këtë vit. Qyteti i Shkupit do të subvencionojë blerjen e biçikletave të përshtatura për njerëzit me nevoja të veçanta për herë të parë këtë vit, ku qyteti do të subvencionojë 50% të vlerës së biçikletës , por jo më shumë se 90,000 denarë për person, përfshirë tatimin mbi të ardhurat personale. Për këtë qëllim, Buxheti i Qytetit të Shkupit siguron një milion denarë dhe thirrja është ende aktive dhe zgjat deri më 31.08.2018.
PROJEKTI QË NUK ARRITI TË MBIJETOJË
Banorëve të Shkupit për herë të parë në vitin 2010 iu dha mundësia për të marrë një nga 120 biçikletat në dispozicion në pesë lokacione në të gjithë qytetin. Projekti “Biçikletë me qira” u prezantua me qëllimin parësor të përdorimit të biçikletës si mjet transporti, sidomos në zonën qendrore të qytetit , si dhe në ngritjen e vetëdijes publike .
Projekti ishte nën realizimin e Ndërmarrja Publike “Parku i Qytetit” – Shkup në bashkëpunim më qytetin e Shkupit, si dhe Shoqatën Qytetare “Eko “Svest. Ideja e këtij projekti nuk mbijetoi ,ndërkaq lokacionet ku mund të merreshin dhe të liheshin biçikletat mbeti vetëm në pesë vende .Sistemi mundësonte që biçikleta e cila merrej nga një stacion të kthehej në stacionin tjetër. Mungesë e këtij sistemi ishte përgjegjësia e përdoruesve të cilët kthenin në vend të gabuar apo fare nuk ktheheshin. Që qytetarët të merrnin biçikletë për 1orë kushtonte 10 denarë ndërkaq për 1 muaj 1500 den. Por, për Shoqatën qytetare “Eko Svest”, ky projekt ishte i suksesshëm.
“Projekti ishte shumë i suksesshëm sepse sistemi i themeluar biçikleta me qira ishte shumë i popullarizuar dhe doli që Qytetin e Shkupit ka nevojë serioze për një sistem të tillë”, thanë nga “Eko Svest”.
Ndërkaq në më shumë se 130 vend europiane ky projekt praktikohet, i cili në Maqedoni nuk arriti të mbijetojë. Por, ndërkohë, shoqatat qytetare dhanë mesazhin se Qyteti i Shkupit duhet të ndryshojë modelin dhe politikën e trafikut. Po ashtu u kërkua që të bëhet përfshirja më aktive e qytetarëve në bërjen e politikave dhe në marrjen e vendimeve për zgjidhjet e trafikut të qytetit. (koha.mk)