Shkup, 30 nëntor– Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi sot është takuar me përfaqësues të Zyrës së USAID-it në Maqedoni me të cilët ka biseduar për rezultatet e arritura deri më tani në suaza të projektit për mbështetjen e nxënësve me shikim të dëmtuar.
Projekti realizohet tashmë disa vjet, ndërsa siç thonë nga MASH-i do të vazhdojë të implementohet deri në fund të vitit 2019. Qëllimi është që të përmirësohet cilësia, por edhe ta rrisë qasjen në arsimimin e këtyre nxënësve, të përmirësohen shërbimet sociale dhe shëndetësore, mobilitetin dhe qasjen deri te informacionet për këto persona, si dhe të rritet gatishmëria për punën e të rinjve me shikim të dëmtuar.
Ministri Ademi, siç kumtoi MASH-i, ka shprehur mirënjohje deri te USAID-i që me vite jep mbështetje për avancimin e cilësisë së arsimit përmes pjesëmarrjes në krijimit e politikave arsimore dhe projekteve të shumta prej të cilave veçanërisht të rëndësishme janë ato që i prekin nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.