Projekti filmik për “shtëpinë e verdhë” mbështetet nga shteti serb

50

Paul Kampf ka marrë përkrahjen e shtetit serb për filmin e tij që e trajton rrëfimin nga “shtëpia e verdhë”

Një vit pas paralajmërimit, projekti filmik që lidhet me atë që u njoh si “shtëpia e verdhë” – e të cilën qarqet serbe e përdorin me të madhe për ta “dëshmuar” tregtinë me organe – ka marrë edhe përkrahjen e autoriteteve shtetërore të Serbisë. Bëhet fjalë për filmin “Žetva”, nën regji të regjisorit amerikan Paul Kampf, të cilin Qendra Kinematografike e Serbisë (QKS) e ka përkrahur me 340 mijë euro. Për shtypin kryesisht rozë në Beograd, ky film do të ekranizojë “krimet shqiptarëve ndaj serbëve” dhe bazohet në romanin e Veselina Xhelatoviqit, “Srpsko srce Johanovo” (Zemra serbe e Johanit). E “shtëpia e verdhë” përmendet edhe në arsyetimin e komisionit që ka vendosur për përkrahjen e tij. Për kineastët në Kosovë, ky është filmi i radhës propagandistik.
“Rrëfimi kërkues, i nxjerrë nga këndi i personazhit kryesor – një i huaj që vjen në një fshat të Kosovës me qëllim që të takojë familjen e dhuruesit të tij – imponoi kompleksitetin e një skenari të shkruar me shkathtësi, një seri skenash të realizuara bindshëm, imanente ndaj trillerit që besojmë se do ta tërheqë vëmendjen e publikut”, shkruhet në arsyetimin e komisionit. Aty shkruhet se produksioni i mundshëm masiv ndërkombëtar aktualizon një histori intriguese dhe asnjëherë të hulumtuar plotësisht për “shtëpinë e verdhë” e përfolur për “tregti me organe njerëzore”. “Duke mbështetur projektin, Komisioni shpreson që ky film të ketë mundësinë që te publiku ndërkombëtar të hapë një seri pyetjesh mbi këtë temë”, shkruhet në arsyetimin e Komisionit.

Paul Kampf, në biografinë e tij paraqitet si një lloj veterani i industrisë filmime.“Imprisoned” me Laurence Fishburne, “Amnesia: Who Are You?”, “Best Fake Friends”, “Brothers Three: An American Gothic”, janë disa prej filmave të tij si producent regjisor e skenarit, në listën e gjatë të prodhimeve të tij, por jo fort të njohur.

Comments are closed.