Vendin më të privilegjuar këtë vit e mbajnë projektet që janë pjesë e programeve të veçanta për “trashëgiminë në rrezik”, si Programi 57 ku trajtohet kisha Shën Gjorgji në Kurbinovë (3 milionë denarë), manastiri në Treskavec (1 milionë e 500 mijë denarë), si edhe një tjetër fond mbi 2 milionë denarë (për konakët e djegur), manastiri në Mateç (1 milion denarë)…
Evis HALILI
Shkup, 15 qershor – Rreth 70 milionë denarë i janë ndarë institucioneve nacionale për realizmin e projekteve të Programit vjetor me interes nacional në sferën e mbrojtjes së trashëgimisë, ku shumat më të mëdha i ndahen mbrojtjes së objekteve të kultit. Vendin më të privilegjuar këtë vit e mbajnë projektet që janë pjesë e programeve të veçanta për “trashëgiminë në rrezik”, si programi 57 ku trajtohet kisha Shën Gjorgji në Kurbinovë (3 milionë denarë), manastiri në Treskavec (1 milionë e 500 mijë denarë), si edhe një tjetër fond mbi 2 milionë denarë (për konakët e djegur), manastiri në Mateç (1 milion denarë).
Manastiri i Leshkës në Tetovë është një prej projekteve me investimin më të madh, 5,5 milionë denarë i janë ndarë për realizmin e fazës së tretë. Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Luljeta Abazi pohon se për aq kohë sa mungojnë kuadrot projektet në këtë fushë nuk mund të ecin me ritmin e dëshiruar. Si shembull ajo sjell Qendrën Nacionale të Konservimit në Gostivar ku për këtë vit numri i projekteve është i vogël, gjithsej tre (në Brodec, Raven dhe Vrutok).
“Nuk mund të thuhet se sa i takon projekteve në sferën e trashëgimisë ka ndonjë ndryshim të madh. Janë në numër më të vogël, pasi edhe vetë institucionet nuk kanë kapacitete për t’i realizuar. Për shembull, kuadrot mungojnë për shembull, në QNKG dhe për t’i realizuar ato i duhet të kërkojnë kuadro nga jashtë institucionit. Kriza me kuadro në fakt është problem që e kanë edhe institucionet e tjera”, thotë Abazi.
Në Tetovë si projekte më kryesore për këtë vit realizohen nga Qendra Nacionale e Konservimit, janë shtëpitë karakteristike, të Mehmet pashë Derrallës dhe Alim beut, ndërsa prej disa vitesh vijohet me projektin për restaurimin dhe konservimin e lokalitetit arkeologjik kalaja Baltepe (faza e katërt) . sa i takon ndarjes së buxhetit në veprimtarinë Mbrojtja e trashëgimisë kulturore, nga gjithsej 73 milionë denarë, të akorduara për institucionet nacionale dhe shoqata (mbi 3 milionë denarë për përfitues të tjerë) fondi për projektet që mbështesin trashëgiminë shqiptare është i vogël, rreth 4.5 milionë denarë, ku pjesa më e madhe (mbi 4 milionë denarë) janë për institucionet nacionale, ndërsa pjesa e mbetur për shoqata, individë që merren me projekte në këtë sferë. (koha.mk)