Institucionet financiare ndërkombëtare janë të gatshme të mbështesin projektet konkrete, sidomos ato që inicojnë zhvillimin rural, hapjen e vendeve të reja të punës dhe sidomos projektet me impakt rajonal e ndërkufitar, ndonëse, sikundër dihet, ato nuk hartojnë projekte. Janë faktorët politikë vendorë, ata të cilët duhet të përgatisin projekte, për çka edhe janë mandatuar dhe të përpilojnë strategji zhvillimore që do të jenë përgjigje e nevojave që kanë shqiptarët në rajonet ku ata banojnë
Nga Emin AZEMI
Pas ndryshimeve që ndodhën në Maqedoninë e Veriut, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim në NATO, disponimi i institucioneve financiare ndërkombëtare ka filluar të jetë më i favorshëm për sa i përket politikave investuese në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Në frymën e këtij disponimi, FMN tash së fundi ka hapur në Vjenë zyrën rajonale për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi.
Me hapjen e kësaj zyreje, FMN synon të përforcojë lidhjet me katër vendet e Ballkanit Perendimor, si dhe me donatorët, me institucionet ndërkombëtare, përfshi edhe Bankën Botërore dhe Qeverinë e Austrisë.
Gjithashtu, kohë më pare Këshilli i drejtorëve i BERZH-it e miratoi Strategjinë e re për angazhimin e vet në Maqedoninë e Veriut gjatë pesë viteve të ardhshme deri në vitin 2024, vetëm disa muaj pasi hyri në fuqi Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me emrin dhe partneriteti strategjik me Greqinë fqinje. Si rezultat i shpresave për përshpejtimin e procesit të përafrimit ndaj Bashkimit Evropian dhe besimit gjithnjë e më të madh të investitorëve, strategjia e re potencon se ritmi i reformave të ardhshme është kyç.
“Dukjet për përshpejtimin e integrimit në institucionet Euroatlantike, veçanërisht përafrimi drejt BE-së, vazhdojnë të jenë shtylla kryesore për reforma strukturore dhe faktor i stabilizimit”, thuhet në dokument. Më tej shtohet se lidhjet e përmirësuara me Greqinë dhe fqinjët e tjerë “kontribuojnë për besimin e rritur të investitorëve”, thuhet në strategjinë e re.
Siç bëhet e ditur,prioritetet strategjike të BERZH-it për 5 vitet e ardhshme do të jenë: mbështetja e konkurrencës përmes përmirësimit të zinxhirëve të vlerave, zhvillmi i aftësive të fuqisë punëtore dhe përforcimi i udhëheqjes; përforcimi i integrimit rajonal, lidhja e butë dhe mbështetja e përafrimit drejt BE-së; dhe mbështetja e tranzicionit ndaj ekonomisë së gjelbër përmes kombinimit më të qëndrueshëm energjetik dhe efikasitetit më të madh të resurseve. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore në Shkup, rritja reale e BPV-së në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018 është 2,7 për qind dhe parashihet të rritet në 3 për qind në vitin 2019 si rezultat i rritjes së fuqishme të eksportit dhe rikuperimit të konsumit, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.
Deri më tani është dëshmuar se BERZH paraqitet si investitor kryesor në Maqedoninë e Veriut dhe deri më tani i ka investuar afro 2 miliardë euro në 115 projekte.
Por, një temë që mbetet pezull e që nuk trajtohet me përkushtim as nga institucionet financiare ndërkombëtare, përfshi edhe BERZH, është zhvillimi (jo)proporcional i rajoneve në RMV. Nëse i bëhet një inspektim më i detajuar hartës së investimeve, do të vërejmë se Shkupi, pjesa qendrore dhe lindore e vendit, janë targetet kryesore të investimeve të jashtme dhe të brendshme. Në këtë hartë ende mungon fokusimi i duhur për rajonet e banuar me shqiptarë dhe kjo ka ndikuar që shumë të rinj të gjejnë zgjidhje në vendet e Perëndimit ku më lehtë sigurojnë një vend pune dhe perspektivë më të madhe kulturore e arsimore.
Por, kjo pasqyrë do të dilte e paplotë, nëse nuk merret parasysh edhe gjendja faktike sa i përket angazhimeve konkrete të Qeverisë në tejkalimin e dallimeve dhe qasjeve në zhvillimin rajonal të vendit. Zërat buxhetorë të kësaj Qeverie janë shumë komplekse, fare pak të profilizuar dhe për rrjedhojë nuk specifikojnë kahe zhvillimore të rajoneve të caktuara, të cilët me dekada kanë ngecur, pikërisht në saje të politikave të gabuara qeveritare. Nëse pushteti i ri erdhi për të korrigjuar gabimet e pushtetit pararendës, këtë do të duhej ta shijojnë edhe rajonet e banuara me shqiptarë.
Në anën tjetër mungon edhe një angazhim më serioz i përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, të cilët me planet dhe idetë e tyre do të mund të absorbonin jo vetëm fuqinë financiare nga jashtë, kryesisht nga diaspora e Europës dhe Amerikës, por do të përvetësonin edhe shumë ide, bashkë me resurset njerëzore që momentalisht ndodhen në këto vende.
Institucionet financiare ndërkombëtare janë të gatshme të mbështesin projektet konkrete, sidomos ato që inicojnë zhvillimin rural, hapjen e vendeve të reja të punës dhe sidomos projektet me impakt rajonal e ndërkufitar, ndonëse, sikundër dihet, ato nuk hartojnë projekte. Janë faktorët politikë vendorë, ata të cilët duhet të përgatisin projekte, për çka edhe janë mandatuar dhe të përpilojnë strategji zhvillimore që do të jenë përgjigje e nevojave që kanë shqiptarët në rajonet ku ata banojnë. (koha.mk)