Për shkak se këshilltarët e komunës së Tetovës nuk e miratuan llogarinë përfundimtare të komunës në afatet e parapara me ligjin për vetëqeverisje lokale, tashmë duhet që të ketë sërish zgjedhje për këshillin e komunës së Tetovës. Zgjedhjet janë caktuar më 20 gusht
Urim HASIPI
Tetovë, 23 qershor – Tashmë kur kanë mbetur më pak se dy muaj, deri kur do të mbahen zgjedhjet për përbërjen e re të këshillit të komunës së Tetovës, një pjesë e kompetencave që i ka këshilli i komunës, kalojnë tek kryetari i komunës. Por, edhe këta kompetenca janë të limituara, thotë ish kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi. “Deri në zgjedhjen e këshillit të ri kompetencat kalojnë tek kryetari i komunës së Tetovës, por është e theksuar në nenin 71 ku edhe përcaktohen kompetencat që i takojnë kryetarit të komunës, por në nenin 36 theksohet se kryetari nuk mund të sjellë statusin e komunës, nuk mund të miraton llogari përfundimtare të ndërmarrjeve, nuk mund të emëron apo shkarkon anëtarë të bordeve nëpër ndërmarrje, poashtu nuk mund të sjellë edhe programe financiare që kanë të bëjnë me punën e komunës”, deklaroi ish kryetari i këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi, raporton gazeta KOHA.
Megjithatë, nga Komuna e Tetovës thonë se disa nene të ligjit për vetëqeverisje lokale janë edhe të paqarta sepse nuk përcaktojnë në mënyrë strikte kompetencat e kryetarit të komunës. “Për këtë arsye, ishte mëse e nevojshme shpallja e shpejtë e zgjedhjeve, të themelohet këshilli i ri dhe komuna e Tetovës të funksionojë normalisht. Kryetari i komunës bën vetëm mbarëvajtjen e procesit edhe pse neni 36 është shumë diskutabil sepse nuk sqaron në tërësi apo në mënyrë të detajuar të gjitha kompetencat”, thotë Besar Durmishi, ish kryetar i këshillit të komunës së Tetovës. Durmishi thotë se projektet infrastrukturore që janë në realizim e sipër kanë kaluar nga përbërja paraprake dhe do të realizohen deri në fund.
“Puna është në proces e sipër, përfundimi nuk prish punë sepse vendimet janë marrë në këshill më herët, pra nuk ka shkelje të ligjit për përfundimin e këtyre punëve. Rrugët që kanë filluar dhe duhet të përfundohen janë rruga Strasho Pinxhur, Bulevardi Bllagoja Toska, poashtu është përfunduar edhe tenderi për sanimin e gropave në rrugët e qytetit të Tetovës. Shumë shpejtë do të niset me këta punë”, tha Besar Durmishi, ish kryetar i këshillit të komunës së Tetovës. Ai tha se për momentin këta punë nuk mund të ndërpriten sepse buxheti ka kaluar në këshill dhe këta projekte kanë qenë pjesë e programës vjetore të punës së komunës së Tetovës prandaj edhe mund të implementohet në tërësi. Për shkak se këshilltarët e komunës së Tetovës nuk e miratuan llogarinë përfundimtare të komunës në afatet e parapara me ligjin për vetëqeverisje lokale, tashmë duhet që të ketë sërish zgjedhje për këshillin e komunës së Tetovës. Zgjedhjet janë caktuar më 20 gusht. (koha.mk)