Edhe festivalet muzikore “Bilbilat e Korabit 2020” dhe “Di fest 2020” poashtu janë drejt përfundimit. Drejtori i Qendrës thekson se festivali “Di fest”, i cili është një projekt origjinal i Qendrës për Kulturë, edhe këtë vit ka mundësuar pjesëmarrjen e kompozitorëve dhe këngëtarëve të rinj nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Përgatitjet për këtë Festival pritet të përfundojnë këto ditë
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 qershor – Në Qendrën për Kulturë në Dibër janë drejt përfundimit shumë projekte që kanë të bëjnë me aktivitete kulturore të këtij institucioni për vitin 2020. Bëhet fjalë për realizimin e projekteve të cilët kanë marrë dritë jeshile nga Ministria për Kulturë e të cilët kanë edhe afate për realizim. Por, drejtoria e Qendrës për Kulturë thekson se edhe pse disa nga projektet janë gati tërësisht e të tjerët drejt përfundimit, prezantimi i tyre varet nga situata me virusin Kovid-19.
Drejtori i Qendrës për Kulturë, Zinçe Mimidinoski deklaroi se ekspozita e piktorëve dibran – Dritan Bocku dhe Adem Sulejmanoski që duhej të hapet këto ditë në Prizren të Kosovës, është anuluar për shkak të pandemisë globale. Ai theksoi se bëhet fjalë për një bashkëpunim ndërkombëtar mes Qendrave për Kulturë në Dibër dhe asaj në Prizren. Kjo ekspozitë pritet të realizohet në një kohë më të përshtatshme. Festivalet muzikore “Bilbilat e Korabit 2020” dhe “Di fest 2020” poashtu janë drejt përfundimit. Drejtori i Qendrës thekson se festivali “Di fest”, i cili është një projekt origjinal i Qendrës për Kulturë, edhe këtë vit ka mundësuar pjesëmarrjen e kompozitorëve dhe këngëtarëve të rinj nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Përgatitjet për këtë Festival pritet të përfundojnë këto ditë. Festivali për fëmijë “Bilbilat e Korabit 2020”, i cili organizohet në bashkëpunim me shoqatën “Bilbilat e Korabit” dhe Qendrës për Kulturë, poashtu është drejt përfundimit. Janë përzgjedhur 20 këngë për fëmijë edhe atë me kompozitorë dhe këngëtarë-fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe vendi jonë.
Pjesa më e madhe e këngëve ka filluar të incizohen, kurse një pjesë e vogël e tyre do të realizohen ditëve në vijim. Janë këngë tërësisht të reja, të cilët kryesisht përkojnë tema nga jeta fëmijërore dhe imagjinatat e tyre. Të theksojmë se, thotë drejtori Mimidinoski, mënyra e prezantimi të tyre në shtator-tetor, do të varet nga prezenca e pandemisë. “Ne si organizator do të jemi të gatshëm që këto festivale të emitohen online nëse me të vërtet nuk ka kushte të tjera. Edhe gjatë vitit 2020 kemi bashkëpunim me festivalet e tjera që realizohen në vendin tonë, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri dhe do të kemi në festivale edhe këngë dhe interpretator të rinj që kanë kënduar në festivalin dibran për fëmijë”, tregon drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër. Viteve të fundit pjesëmarrësit më të mirë të festivalit “Bilbilat e Korabit” kanë marrë çmime të ndryshme në festivale të fëmijëve që mbahen në Gjilan, Shkodër e tjerë.
Këtë vit, Qendra për Kulturë është duke përgatit edhe tre ekspozita të piktorëve dibran. Bëhet fjalë për piktorë që do të kenë ekspozita vetjake, respektivisht piktorët Dritan Bocku, Tahir Cnoli dhe Adem Sulemanoski. “Sa u takon ekspozitave, nëse përmirësohet situata me pandeminë e koronavirusit, do të realizojmë ekspozitë në qytetin e Peshkopisë – Republika e Shqipërisë meqë Qendra për Kulturë në Dibër dhe Qendra për Kulturë në Peshkopi kanë bashkëpunim shumëvjeçar. Duke marrë parasysh se tani dorëzohen projektet të institucioneve kulturore për vitin e ardhshëm, ne kemi përgatitur shumë projekte mes të cilëve është edhe projekti që ka të bëjë me 50 vjetorin e Qendrës për Kulturë në Dibër. Bëhet fjalë për gjysmë shekull nga themelimi i Qendrës për Kulturë e që në fillim është quajtur ‘Pallati i Kulturës – Shkupi’ – në Dibër. Është një projekt në të cilin gërshetohen aktivitete e ndryshme kulturore”, përfundon Mimidinoski. (koha.mk)