Përgatitjen e 40 personave me rrezik social që për një kohë të gjatë janë të papunësuar dhe mundësimin e inkuadrimit në jetën sociale dhe ekonomike, duke krijuar të ardhura për vete parashikon projekti “Ndërmerr aksion për konkurrencë më të mirë në tregun e punës” të financuar nga BE-ja , ndërsa në organizim të Kryqit të Kuq të RM dhe Odës të Zejtarëve të Qytetit të Shkupit. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale Ibrahim Ibrahimi tha se për inkuadrimin në tregun e punës të grupeve të prekura sociale që janë evidentuar edhe si persona që për një periudhë të gjatë kohe janë të papunë Ministria, propozon dhe implementon masa, aktivitete, ligje dhe strategji që kanë të bëjnë me rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe përmirësimin e tyre si dhe sigurimin e sigurisë sociale të personave me rrezik social.
“Inkluzioni social dhe përforcimi ekonomik i personave me rrezik social është integruar para së gjithash në kuadër të programeve të shumta operative dhe masave që janë zbatuar me vite dhe të cilat japin rezultate të veçanta”, theksoi Ibrahimi. Sekretari i përgjithshëm Kryqit të Kuq të RM-së Sait Saiti sqaroi se ky projekt paraqet mundësi shtesë për Kryqin e Kuq që ta kthejë vëmendjen e opinionit drejt aktiviteteve që kontribuojnë për realizimin e misionit për ndihmën dhe përkrahjen e grupeve të prekura të qytetarëve në Maqedoni.
“Me rëndësi të madhe është ajo që ky projekt siguron edhe përkrahje psiqike dhe sociale të përdoruesve me qëllim të përforcimit të kapaciteteve për rritje dhe zhvillim personal, por edhe përkrahje të familjeve të tyre, të adaptuar në nevojat e tyre, duke përdorur të gjitha resurset në dispozicion të komunitet”, tha Saiti. Informoi se në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare shkalla e varfërisë tek të papunët është e lartë, respektivisht nga të gjithë personat e varfër të evidentuar përqindja e të papunëve është e lartë. Sipas tij lidhja për zgjidhje të papunësisë dhe varfërisë është e ndërlidhur dhe se një prej këtyre problemeve ndikon në zgjidhjen e tjetrit.
Kryetari i Odës së Zejtarëve Nikolla Petrov sqaroi se Oda i trajnon personat dhe bën kualifikimin dhe parakualifikimin e kuadrove ku pjesëmarrësit do të fitojnë kualifikime të caktuara siç janë dijet, mjeshtëritë dhe kompetenca, me qëllim që siç tha ai të përmbushen nevojat e tregut të punës. Në pyetjen e gazetarëve për statusin e personave të shpërngulur nga përmbytjet në konviktin “Senik” ministri Ibrahimi tha se ai e respekton vendimin e Qeverisë së RM-së se njerëzit duhet që të kthehen në shtëpitë e tyre sepse janë dëmshpërblyer që në nëntor të vitit të kaluar dhe se kanë kushte për jetesë. Për ata disa persona që nuk mund të kthehen u është siguruar qëndrim në konviktin “25 Maji”. Ibrahimi tha se kanë informacione të sigurta nga komisionet e tyre se në objektin “Senik” qëndrojnë persona që nuk janë nga rajonet e përmbytura.