Shkup, 1 shkurt – Organizata Humanitare “El Hilal” edhe këtë dimër kujdeset për familjet që jetojnë në kushte të vështira në këtë periudhë të vitit. Këto ditë u mbyll aksioni humanitar i realizuar në Tetovë, respektivisht në fshatrat e Malësisë së Sharrit, në Çair të Shkupit dhe në Kumanovë. Me kontributin e donatorëve individualë, për rreth 130 familje janë shpërndarë gjithsej 300 batanije, mjete higjienike dhe veshmbathje për fëmijë. Këtë aksion organizata e realizoi nëpërmes degëve nga Tetova, Çairi dhe Kumanova.
Gjithashtu, në kuadër të këtij aksioni dimëror dhe me kërkesë të një grupi të qytetarëve të Shkupit, për 20 familje të strehuar në Institucionin Publik “Ranka Milanoviq” janë dorëzuar mjete higjienike dhe veshmbathje për fëmijë të siguruara nga donatorët vendas. Qëllimi i aksionit dimëror ishte që sadopak të ngrohë zemrat e nevojtarëve, veçanërisht fëmijëve sepse edhe ata kanë të drejtë t’i kalojnë ditët e ftohta dimërore sa më lehtë.