Shkup, 14 dhjetor – Për pesë vite rroga neto mesatare në Maqedoni është rritur deri në 7 për qind. Këto të dhëna së fundmi janë publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikës, shkruan gazeta KOHA. Kjo shifër kur do t’i përshtatet rritjes së harxhimeve të jetesës për 5 deri në 6 për qind është e kotë, edhe pse disa sektorë në shtet siç është industria e programeve për kompjuter kanë rritje të rrogave deri në 60 apo 70 për qind. Në këtë industri punojnë rreth 3 apo 4 mijë njerëz, ose përkthyer në shifra, më pak se 1 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në vend. Sektorët tjerë në mesin e të cilëve hynë edhe tregtia, kanë rritje vetëm prej dhjetë për qind. Në përgjithësi të dhënat e ESHS, thonë se programuesit janë fuqia punëtore më e kërkuar në Maqedoni, gjë që vërehet me rritjen e rrogave të tyre. Duke iu referuar hulumtimeve të kryera nga Enti i statistikës, mund të konstatohet se paga mujore e një programuesi për pesë vitet e fundit është rritur 70 për qind, ose 48 mijë denarë. Kjo pagë është e hyrat mesatare neto më e madhe në vend, respektivisht 1 mijë denarë më tepër se sa veprimtaria të cilën e kryejnë të punësuarit në transportin e aviacionit, rroga mesatare e të cilëve është 47 mijë denarë. Pas këtyre veprimtarive rritje e rrogave është vërejtur në farmaci, rrjetin e telekomunikacionit, shërbimet financiare, e kështu me radhë. Nëse bëhet krahasimi mes muajve janar dhe korrik të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit 2011, rroga mesatare e programuesve ka qenë mbi 47 mijë denarë, ose rreth 58 për qind më tepër. Njëherit kjo kategori e të punësuarve është e kërkuar edhe në shtete e huaja, ku rroga mesatare e një punëtori të tillë lëviz nga 1.500 deri në 2.000 euro. Përkundër rritjes së rrogave në industrinë kompjuterike, sipas të dhënave të ESHS, pothuajse për 147 për qind janë rritur pagat në industrinë e filmit, produksioni dhe programeve televizive. Në këto veprimtari brenda pesë viteve rroga mesatare është rritur për mbi 32 mijë denarë. Ky lloj i punës, duke iu referuar të dhënave të ESSH-së, përfshijnë sektorin e komunikimeve dhe telekomunikacionit, ku sipas të dhënave të publikuar në vitin 2014, punojnë rreth 10 mijë njerëz, prej të cilëve vetëm 500 qytetarë janë të angazhuar në industrinë e filmit dhe sektorët tjerë të kësaj kategorie. Karakteristikë tjetër e këtij sektori është se në veprimtarinë e telekomunikimit, në qershor të këtij viti është regjistruar rënie e rrogës mesatare për rreth 3 për qind, apo se rroga e tyre është mbi 41 mijë denarë. Në ndërkohë nëse bëhet krahasimi me vitin 2011, rroga mesatare e kësaj veprimtarie ka pasur rënie deri në 18 për qind. Pavarësisht këtyre të dhënave, vite me radhë ky sektor së bashku hynë në pesë veprimtaritë me rrogat më të larta mesatare në Maqedoni. Kategoria e dytë e industrive, e cila shënon rritje të rrogave mesatare në Maqedoni është sektori i shërbimeve ndihmëse, respektivisht atyre në xeheroret me rreth 91 për qind apo mbi 24 mijë denarë rrogë mesatare. Në këtë sektor, sipas ESHS, punojnë nga 100 deri në 150 persona, numër ky i cili nuk ndikon në rritjen e shkallës së ndryshimeve kur bëhet fjalë për rrogat mesatare në ekonominë e vendit. Në kuadër të këtyre kategorive rritje e rrogave mesatare është vërejtur në sektorin e sportit, pastaj për makinat dhe pajisjet e ndryshme, si dhe rritje e rrogave mesatare është vërejtur për veprimtarinë e shkencës dhe teknologjisë. Të gjitha këto kategori, siç thonë nga ESHS, numërojnë rreth 6 mijë qytetarë të punësuar, me çka rritja e pagave të tyre nuk luan ndonjë rol kyç në zhvillimin e ekonomisë. Nga ana tjetër prej veprimtarive që kanë më tepër të punësuar, rritja e rrogave është vërejtur në ndërtimtari. Në këtë sektor, sipas ESHS, brenda pesë viteve rroga mesatare është rritur për 34 për qind, apo kthyer në numra, 21 mijë denarë për person, shkruan KOHA. Sektori i ndërtimtarisë në vend ngërthen disa sektorë më të vogël, në këtë rast ndërtimtaria e ulët ku sipas informacioneve zyrtare nga ESHS, ka rritje prej 57 për qind të pagave, pastaj vijon ndërtimi i banesave me 38 për qind dhe ndërtimet speciale me 14 për qind të pagës mujore. Të punësuarit në sektori e ndërtimtarisë, si një ndër kategori më të rëndësishme të ekonomisë, gjatë periudhës së tranzicionit, pothuajse u shuan plotësisht, kjo mund të vërehet edhe me numrin e vogël të të punësuarve në atë kohë. Gjatë evoluimit të punës në këtë sektor, sipas të dhënave të ESHS, për pesë vite numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimtarisë është rritur për 40 mijë qytetarë, gjegjësisht 53 mijë në kuartalin e dytë të vitit 2016. Rritje e dukshme e rrogave, sipas hulumtimit të ESHS, është ka konstatuar se është bërë edhe në industrinë e tekstilit. “Rroga mesatare e në këtë kategori në qershor të këtij viti ka shkuar deri në 59 për qind më tepër se para pesë viteve, ose mbi 15 mijë denarë pagë mujore, e cila në para pesë viteve ka qenë 9.500 denarë. Përkundër asaj se kjo kategori nuk duhet përzier me industrinë e veshjes, të dyja këto kategori hynë në veprimtarinë përpunuese. Megjithatë, numri i të punësuarve në industrinë e tekstilit është shumë më i ulët se në atë të veshjes (për prodhim- 5000 të punësuar, për shtije 30 mijë persona)”, thonë nga ESHS. Ndryshe, nga ky ent nuk duan të zbulojnë se cila është arsye e rritjes së rrogave në industrinë e tekstilit, gjegjësisht cilët kompani kanë rritje të të punësuarve për 2500 persona më tepër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.