Një vendim i tillë antishqiptar të udhëheqjes komuniste jugosllave ishte rrjedhojë e një fushate agresive dhe ultranacionaliste nga ana e disa institucioneve dhe shoqatave serbe, si Akademia e Shkencave dhe Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve, Lidhja e Luftëtarëve etj., të cilat, të përkrahur edhe nga udhëheqja komuniste serbe, në mënyrë të hapur i akuzonin shqiptarët si “element i pasigurt dhe i rrezikshëm” për stabilitetin jugosllav…
Nga Qerim LITA
Me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në krye të Komiteti Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë (1986), situata politike dhe e sigurisë në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare jashtë saj skajshmërisht u përkeqësua. Nën pretekstin se në Kosovë “po bëhet pastrimi etnik”, ai, i përkrahur edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë si dhe nga qarqet e ndryshme serbomadhe, mbajti disa takime me elementet serbe e malazeze në Kosovë, në të cilat u vu në pah se “shpërngulja e tyre” ishte rezultat i “politikës oportuniste” të drejtuesve politik kosovarë, të cilët, siç thuhet në një dokument të KQ të LKJ-së, “një periudhë të gjatë nuk kanë ndërmarrë asnjë aksion konkret për përmbysjen e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, që sipas tyre, ”viteve të fundit veprimtaria e tyre po merr një agresivitet të skajshëm armiqësorë”.
Me një konstatim të tillë nuk do të pajtohen drejtuesit politik të Kosovës, të cilët ndryshe nga vlerësimi i KQ të LKJ-së, ishin thellë të bindur se përkeqësimi i situatës politike e të sigurisë në Kosovë vinte nga qarqet e ndryshme nacionaliste serbe. Kryesia e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, në Analizën të hartuar në mars të vitit 1986, vinte në dukje se në kohë të fundit në Kosovë po veprojnë “qarqet me pikëpamje të ndryshme – që nga ato burokratike, dogmatike-centraliste, neoinformbyroiste, borgjeze-liberaliste e gjer te forcat me pikëpamjet thjesht nacionaliste e shoviniste – të cilat situatën në Kosovë e shfrytëzojnë vetëm si shkas për një veprim më të gjerë kundër sistemit tonë në tërësi”. Sipas drejtuesve të atëhershëm partiak në Kosovë, “linjën qendrore të këtyre forcave dhe tendencave e përbën nacionalizmi serb”, i cili “ndaj Kosovës dhe posaçërisht ndaj shqiptarëve po manifestohet në formë të revanshizmit…”.
Rrjedhimisht, Kryesia e KQ LKJ-së, në maj të vitit 1987 formoi një grup pune prej 10 anëtarësh, të cilit për detyrë iu dha ta shqyrtoj situatën politike e të sigurisë në Kosovë, veçanërisht të bëj hulumtimin e hollësishëm për siç thuhej “shkaqet dhe arsyet e shpërnguljes të serbëve e malazezëve nga ajo krahinë”. Grupi udhëhiqej nga Marko Orllandiq. Një vendim i tillë antishqiptar të udhëheqjes komuniste jugosllave ishte rrjedhojë e një fushate agresive dhe ultranacionaliste nga ana e disa institucioneve dhe shoqatave serbe, si Akademia e Shkencave dhe Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve, Lidhja e Luftëtarëve etj., të cilat, të përkrahur edhe nga udhëheqja komuniste serbe, në mënyrë të hapur i akuzonin shqiptarët si “element i pasigurt dhe i rrezikshëm” për stabilitetin jugosllav, se situata në Kosovë nuk mund të mbahej në kushtet e marrëdhënieve demokratike vetëqeverisëse, por se aty duhet të ndërmerreshin masa speciale të “sistemit të dorës së fortë”, se rrënjët e “nacionalizmit e separatizmit shqiptar” duhej kërkuar që nga Konferenca e Bujanit etj.. Në kuadër të asaj fushate duhet veçuar edhe të ashtuquajtura “peticione” të serbëve e malazezëve të Kosovës, me përmbajtje shoviniste, ku vihej në spikamë politika revanshiste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Ato peticione përgatiteshin në Beograd ndërsa në Kosovë organizohej vetëm grumbullimi i nënshkrimeve, pa pasur qasje në përmbajtjen e teksteve, ku në të shumtën e rasteve bëhej falsifikimi i nënshkrimeve. Ndonëse pikënisja e tyre ishte gjoja “ballafaqimi me nacionalizmin shqiptar”, në esencë qëllimi i vërtetë ishte, të bëhet presion mbi opinionin publik në mënyrë që të krijohet përshtypja se për serbët e malazezët jeta në Kosovë “ishte e padurueshme” dhe në atë mënyrë të krijoheshin kushte për ndërhyrjen e organeve policore republikane dhe federative.
Rrjedhimisht, grupi i punës hartoi Projekt Konkluzionet të titulluar “Realizimi i qëndrimeve të LKJ-së në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim bashkimin dhe unitetin në Kosovë”, të cilat u miratuan në mbledhjen e nëntë të KQ të LKJ-së, mbajtur më 3 qershor të vitit 1987. Krahas pjesës hyrëse konkluzionet përfshinin gjithsej 21 pika të veçanta. Në to ndër të tjerave thuhej se përkundër përpjekjeve të dukshme nga ana e Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe Lidhjes Komuniste të Kosovës “për eliminimin e shkaqeve dhe pasojave të nacionalizmit shqiptar në Kosovë”, megjithatë atje nuk janë duke u realizuar disa “detyra me rëndësi nga Platforma Politike për aksionin e LKJ-së në Kosovë dhe Rezoluta e Kongresit të XIII të LKJ-së për Kosovën”. Si problem më i rëndë në Kosovë sipas hartuesve të konkluzioneve ishte mosrealizimi i politikës së LKJ-së në dy çështje esenciale: “shpërngulja e serbëve e malazezëve” dhe përkeqësimi i gjendjes ndërnacionale”.
Në pjesën e fundit të pikës së pestë vihej në dukje kundërshtimi i hapur i udhëheqjes komuniste jugosllave ndaj disa qëndrimeve të përfshira në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, për çka KQ i LKJ-së e ngarkonte KK të LK të Kosovës t’i shqyrtoj të gjitha “pasojat” që vinin si rrjedhojë e sjelljes “jo kritike” ndaj qëndrimeve të asaj rezolute: “…Komiteti Qendror i LKJ-së vë në dukje se sjellja ndaj disa qëndrimeve të papranueshme në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, të cilat janë në kundërshtim me vendimet e AVNOJ-it (KANÇJ-ës), të shprehura qartë në qëndrimet e Komitetit Qendror të PKJ-së nga viti 1944, me ç’rast qëndrimet e sipërpërmendura janë shpallur të pavlefshme. Këtë e vërtetoi edhe Këshilli Nacionalçlirimtar i Qarkut të Kosovës e Metohisë, më 10 korrik 1945, kur solli vendim për bashkëngjitjen e Kosovës e Metohisë me Serbinë federale. Komiteti Qendror e obligon Komitetin Krahinor të LK të Kosovës që, së bashku me organet më të larta në KSA të Kosovës, t’i shqyrtojë të gjitha pasojat e sjelljes jo kritike ndaj qëndrimeve të përmendura nga Rezoluta e Konferencës së Bujanit dhe për këtë ta njoftoj opinionin…”.
Lidhur me këtë, por edhe për shkaqet e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkohej përgjegjësi ideopolitike për një pjesë të caktuar të udhëheqësve politik shqiptarë, të cilët me vite të tëra kishin bartur funksione të larta partiake e shtetërore në Krahinë e në Federatë, e të cilët sipas vlerësimeve të udhëheqjes komuniste jugosllave, kishin pasur ndikim vendimtar në krijimin e politikës së atëhershme që kishte sjell “deri te shpërthimi i nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. Për këtë arsye, theksohej më tej në konkluzione duhet deri në fund të sqarohen politikisht se “çfarë marrëdhënie konkrete kanë pasur dhe kanë kuadrot e caktuar ndaj nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar dhe ideologjisë së saj”, si dhe çfarë qëndrimi kanë ndaj politikës së aksioneve të tanishme të LKJ-së në “demaskimin e saj” si dhe ndaj masave e aksioneve të ndërmarra në Kosovë. Nisur nga kjo KQ i LKJ-së e obligonte KK të LK të Kosovës që të ngrejë çështjen e përgjegjësisë ideopolitike për këta udhëheqës të lartë politik, dhe për këtë ta njoftonte me kohë “anëtarësinë e LKJ-së dhe opinionin e gjerë jugosllav”. Në fund të konkluzioneve thuhej se KQ i LKJ-së i mbështet Konkluzionet e Kuvendit të RSFJ-së për hartimin dhe miratimin sa më parë të “Programit jugosllav për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë e të shpërngulurve dhe ardhjen e atyre që dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë”, dhe se i njëjti duhet mbështetur “mbi bazën ideoplotike” të përcaktuar në Platformën Politike për aksionin e LKJ-së në Kosovë, vendimeve të Kongresit të XIII të LKJ-së, qëndrimeve të Konferencës Federative të LSPPJ-së, Konkluzioneve të Kryesisë së RSFJ-së dhe kryesisë së KQ LKJ-së “për situatën politike e të sigurisë në Kosovë”.
Për realizimin sa më parë të Konkluzioneve, Kryesia e KQ të LKJ-së, me 21 qershor 1987, solli “Programin Operativ”, i cili në mënyrë të detajuar i përshkruante masat dhe aktivitetet që duhej të ndërmerreshin nga institucionet e ndryshme shoqëroro-politike, realizimi i të cilave ishte përcaktuar me afat kohor. Pika 13 e programit përfshinte aktivitetin e domosdoshëm të organeve e organizatave partiake në përgatitjen dhe realizimin e programit jugosllav “për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë e të shpërngulurve dhe ardhjen e atyre të cilët duan të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”:
“…Kryesia do ta shqyrtoj Projektin e këtij programi dhe do të përcaktojë qëndrime ideopolitike për aktivitetin në përpunimin dhe realizimin e atij programi në përputhje me Konkluzionet e mbledhjes së 9 të KQ të LKJ-së. Komunistët në Kuvendin e RSFJ-së duhet të angazhohen që ky program të miratohet sa më parë, a më së voni deri në mbarim të vitit 1987”. Ndër masat që përfshiheshin në Programin operativ, pa dyshim se duhet veçuar atë të kontrollit dhe mbikëqyrjes së rreptë të mjeteve të informimit në gjuhën shqipe, me arsyetimin se ato, problemet në KSA të Kosovës i trajtuakan “në mënyrë senzacionale” dhe në kundërshtim me qëndrimet e përcaktuara në Konkluzionet e mbledhjes së nëntë të KQ LKJ-së, për çka nga Komisioni për veprimtari informative-propagandistike pranë KK të LK të Kosovës, që kryeredaktorëve të atyre mediumeve t’u tërhiqej vërejtja rregullisht “për lëshimet në angazhimin e mediumeve publike”.
Gjithnjë sipas parashikimeve të udhëheqjes komuniste jugosllave, Kuvendi Federativ i RSFJ-së në seancën e mbajtur më 23 nëntor 1987, në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër, e miratoi “Programin jugosllav për masat e aktivitetet për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë”. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit për hartimin e atij programi antishqiptar, para deputeteve gjerësisht foli Stojan Andovi, sipas të cilit, “shpërngulja e serbëve dhe malazezëve nga Kosova” përbënte problemin më të rëndë moral, politik dhe shoqëroro-ekonomik të shoqërisë jugosllave, i cili siç theksoi: “shprehet një periudhë të gjatë kohore, ndërsa pas ngjarjeve kundërrevolucionare në vitin 1981 vazhdoi me një intensitet edhe më të theksuar, që solli deri te ndryshimi i lartë dhe brengosës i strukturës nacionale të popullsisë në Kosovë”. Ai duke u thirrur në vendimet e mbledhjes së nëntë të KQ të LKJ-së, kërkoi marrjen e masave radikale nga ana e organeve shtetërore të Kosovës, Serbisë dhe RSFJ-së, për siç do të shprehet “mënjanimin sa më parë të shkaqeve të përkeqësimit serioz të marrëdhënieve ndërnacionale që është rezultat i veprimtarisë së stërzgjatur të nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe me vendosmëri të realizohet politika e barazisë së plotë nacionale”.
Programi politik prej 50 faqeve dhe 90 pikave, krahas pjesës hyrjes – ndahej në katër kapituj të veçantë dhe më shumë nënkapituj. Në pjesën hyrëse, pika 2, ndër të tjerave kërkohej marrja e masave energjike nga organet shtetërore të KSA të Kosovës, RS të Serbisë dhe të RSFJ-së, që në një afat sa më të shkurtë të mënjanoheshin “shkaqet e lëkundjeve serioze në marrëdhëniet ndërnacionale të krijuara me veprimin afatgjatë të nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. Përveç kësaj në pjesën hyrëse, pika 5 dhe 6, parashihnin ndërhyrje në aktet normative, përkatësisht ndryshime dhe plotësime të ligjeve të caktuara dhe të dispozitave tjera dhe aktet dhe planet e përgjithshme, me çka do të mundësohej realizimi sa më i shpejtë dhe sa më efikas të programit, i cili prishte kolonizimin e Kosovës me elemente sllave, apo siç thuhej në dokument: “…ndërprerjen urgjente të shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë të të gjithë të shpërngulurve të cilët dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në këtë pjesë të vendit dhe krijimin e kushteve të përhershme shoqërore-politike, juridike, ekonomike dhe kushteve tjera për stimulimin e ardhjes së qytetarëve nga mbarë vendi të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë”. (vijon në numrin e ardhshëm)