Ministria nuk e ka përligjur vonesën me asnjë reagim zyrtar dhe as ka dhënë ndonjë afat të ri, duke lënë mundësi për hamendësime nëse bëhet fjalë për probleme financiare të trashëguara nga viti i kaluar, apo selektime të reja sa i takon projekteve fituese
Evis HALILI
Shkup, 20 shkurt – Kanë kaluar më shumë se dy javë nga afati ligjor që obligon Ministrinë e Kulturës për të shpallur rezultatet e konkurseve për projektet fituese të Programit me interes nacional në kulturë, por nga ky institucion ende nuk ka asnjë informacion. Edhe pse komisionet e kanë mbyllur procesin e përzgjedhjes prej disa ditësh, projektet fituese pritet të kalojnë filtra të tjerë deri në publikimin e tyre.
Sipas ligjit (Ligji i kulturës, neni 65 paragrafi 1) 45 ditë pas shpalljes së buxhetit të Qeverisë, që u miratua më 20 dhjetor të vitit të kaluar, duhej të publikoheshin rezultatet e konkurseve që u mbyllën më 12 nëntor të vitit të kaluar. Ministria nuk e ka përligjur vonesën me asnjë reagim zyrtar dhe as ka dhënë ndonjë afat të ri, duke lënë mundësi për hamendësime nëse bëhet fjalë për probleme financiare të trashëguara nga viti i kaluar, apo selektime të reja sa i takon projekteve fituese. Ndaj kësaj vonesë kanë reaguar botuesit (Asociacioni i Botuesve të Maqedonisë) për të cilët – një situatë e tillë është në dëm të botuesve dhe realizimit të projekteve. Ndërsa fakti që as ata dhe as publiku nuk janë informuar për arsyet e zgjatjes dhe datën e mundshme kur ata mund të presin rezultatet, është shqetësuese dhe shtrohet pyetja në çfarë mase janë problemet financiare të Ministrisë së Kulturës dhe nëse problemet me Programin e vitit të kaluar do të ndikojnë në buxhetin e përgjithshëm dhe fondet që do të alokohen për projektet nga Programi Vjetor për 2021.
“Ministria e Kulturës ishte rigoroze në drejtim të shtyrjes së afateve për projektet nga Konkursi për vitin 2020 dhe nuk u siguroi botuesve mundësinë e parashikuar ligjërisht për të zgjatur afatet ‘deri në fund të vitit aktual’… vonesa aktuale e rezultateve është kontradiktore dhe flet për një marrëdhënie jo korrekte me botuesit”, thuhet në reagimin e tyre. Jozyrtarisht mësohet se procesi i përzgjedhjes ka kaluar nga komisionet, tek sektorët përkatës. Punonjësit e tyre po merren me grupimin e projekteve në – fituese, të refuzuara dhe të anuluara, si edhe sa i takon projekteve fituese, po përpilohen informacione të detajuara sa i takon përqindjeve në baza etnike, gjinore…. Kriteret për konkurrimin e sivjetshëm ndryshuan dhe bashkë me to edhe mënyra sesi do të vlerësohen projektet, përbërja e komisioneve që do të merren me përzgjedhjen e projekteve fituese.
Konkurrimi u zhvillua në kategoritë e Arteve vizuale, arkitekturës dhe dizajnit – Folklorit, muzikës dhe aktivitetit muziko skenik – Dramës, Letërsisë dhe botimit – Projekteve interdisiplinore – Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si edhe Bashkëpunimi ndërkombëtar. (koha.mk)