Puna është se kam kuptuar se duhemi ec përtej kërkimit për me idealizu besimin në politikanë, sepse dalim budallenj në këtë kontekst politik të cilin vëzhgojmë anave. Në këtë moment, e deri në këtë shtresë pjekurie, them dhe besoj për herë të parë se proceseve transformative politike në shoqëritë tona, duhemi kyç nga brenda, sado e frikshme të duket, madje anakronike e demode kjo kyçje përsëri mendoj se kjo do ishte e vetmja formë e vramjes së mosbesimit në ne
Nga Adelina MARKU
Kam lexuar dy kolumna sot nga dy autorë të rretheve kulturore të ndryshme, nëse më lejoni – do kisha shtuar rretheve kulturore gjuhësisht të ndryshme, jo aq shumë gjeografikisht a, e që njëra është shkruar nga autor I ri në moshë që jeton e krijon në Kosovë e tjetri në decenie të shtyrë moshe e nga Maqedonia e Veriut. Që të dy kanë bërë një zgjidhje të njëjtë tek kanë zgjedhur që titullin kolumnës ‘ tyre t’a parashtrojnë në formë të pyetjes retorike. Pra e kam fjalën për kolumnën mendjes së mençur këndej nga Maqedonia e Veriut, e profesorit Denko Maleski i cili ngre dilemën se “Kush e vrau Prokurorine Speciale?” dhe kolumna e një të riu nga Kosova e që është filozof e për më shumë shkruan goxha mirë, Ridvan Emini me titullin e kolumnës “A duhet t’ju besojmë?’
E mira e këtyre titujve kolumnesh me kësi pyetjesh retorike ka të bëjë me atë që shkrojtësi jep përgjigjen në esencë; Ai/ajo e din përgjigjen ose le shtoj se, çdo pyetje retorike të jep një përgjigje ndërsa ti që dergjeshe nga dilemat se cilat teza konspirative ishin më spikamshpuset në vorbullën e pyetjeve t’rreshtume varg: nëse qenka e majta apo e djathta që e rrëzoi Prokurorinë Speciale, Profesori Denko e përmbledh me një të fortë e thotë se këtë institucion që lëngonte të çlirojë institucionet / shoqërinë e kapur nga korrupsioni e marria psikologjike shumështresore, e rrëzoi Orienti! Dear God, më pëlqeu shumë ky vrojtim i profesorit. Ngadalë, mos u ngut; jo, ky nuk flet për orientin si gjeografi këtu, por flet për tipologjinë e kulturës politike e cila përmban në vete inercionin më shumë se mendimin kritik. Inercioni nuk parashtron pyetje, ai të zhyt në misterin (mistik) tënd të rëndë e të fug në kthetrat e dilemave shtrigane, të plas shpirtin, ndërsa mendimi kritik shtiret naiv në dukje tek parashtron pyetje retorike e tuj i rendit varg përgjigjet, sepse zbulon veten, cilëson veten. Oh me një fjalë, tuj dhan përgjigje, tuj e zëvendësu misterin me logjikë të shëndoshë, çlirohesh nga kthetrat që të shkaktonte inercioni më lartë. Kjo përmbajtje përbrenduse ( inercioni) karakterizohet nga një gjendje shpirtërore e cila çdo gjë që prek e pllakos, e flliq dhe e frenon, e bën ambiguine e me dy tre e më shumë dilema brenda, e fug’ deri në pakuptimshmëri, e bën të atillë që njerëzve jua han shpirtin dhe jua vret idetë e entuziazmin. Fryma e orientit tek ne i mundi principet e qarta demokratike të perëndimit- thotë profesori. Orienti e vrau Prokurorinë Speciale ! Në prespektivën time gjykoj se këtë gjë ne të rrethit kulturor linguistik shqiptar e kemi përçikur si temë shumë më heret ; për të këtilla ndikime ka folur mjaft psh Z. Arbën Xhaferi, ndërsa ne shqetësimit të tij i jemi qasur pak a shumë në mënyrë skematike ë, duke dashur të jemi “politikisht korrekt”(?!) ndaj këtij lloj ndikimi e duke mos qenë të vetëdijshëm se akulturonim veten nga gjeneza jonë kulturore që përfshihet nga hemisfera perëndimore, në thelb! Profesor Denko me këtë kolumnë më jep të kuptoj se vetëkritika në rrethin politik kulturor maqedonas shpaloset ose folet me vonesë prandaj dhe krijon doktrinë shokuese dhe se ajo e rrethit politik kulturor shqiptar e cila ishte më e herët e më folëse në këtë aspekt, u lejua që të “indoktrinohet” nga vonesa inertive e rrethit politik kulturor maqedonas. Konstatim kz, për më shumë përgjigje! Çka bëmë në fakt duke lojtur këtë lloj seksi politik me kaq vetëdije sadomazokiste ? Kemi ç’rrënjosur kuptimin mbi BESIMIN! Tani e Sot, jemi përmbysur që të dy rrethet kulturore fatkeqësisht, sepse kemi kopjuar njëri tjetrin duke mos dashur të flasim hapur se sa gabim është të ndërtosh një shoqëri të tërë të bazuar në rrenë, në korrupsion, në përfaqësues të rastësishëm, në mosllogaridhënie, në mosdënim e sidomos në hapa plot korrektësi politike edhe kur e drejta ishte në pyetje. Denko dhe Arbni ishin dakord kahmot…por për të tillët nuk ka gjithmonë vesh për t’i dëgjuar nga pranuesit që dinë më së lehti të të shpifin me politikë orienti!
Çështjen mbi mosbesimin e ngre e Ridvani nga Prishtina, i cili flet mbi pritshëmritë e tij nga zgjedhjet e parlamentare në Kosovë. Poaq përgjigje të mira i jep titullit të kolumnës së tij, “A duhet të besojmë?”. I shkruaj Ridvanit se në mendimin tim çështja e besimit në politikë sot është shndruar në një si tip egocentrizmi utilitarist, votuesi nuk parashumë beson në atë që dëgjon nga politikani por e voton atë ngase ka “bindjen” se do përfitojë nga rrethi kulturor i ndikimit të atij/asaj politikani/neje. Jo nga ideologjia, jo, por nga rrethi kulturor/ndikimi i tij/i saj. Dmth, ai/ajo që voton e bën këtë i/e sfiduar nga parazitizmi, nga lehtësia për të arritur qëllimin vetanak përmes ndikimit të politikanit e jo aksionit vetanak, ndërsa ai që refuzon të votojë, motivohet nga mosbesismi në çdo gjë. Parazitizmi dhe mosbesimi, prodhojnë shoqëri orienti, të cilat karakterizohen nga stagnimi e sillen në rreth vicioz, vetëgrryhen nga brenda, pa ditur si të dalin, sepse i frikësohen ndryshimit! Edhe ndryshimin e shohin me poaq pabesi, siç i qasen dyshimit vetë, me plot mistere, rrena, shpifje e konspiracion e asnjëherë përmes pyetjeve retorike logjike! Ky është Orienti i Denkos dhe Arbnit! Ridvani nga Prishtina, ekonomizon pritjet nga politikani, nuk thërret në mosbesim dhe nihilizëm. Ai thotë se të paktën atë se çfarë mund të bëjnë qytetarët në këtë drejtim është, që të zvogëlohet rreziku i pritshmërive të tyre. Kjo do të thotë të mos ofrohet shpresë, sepse shpresa nuk çon askund, përveç në rrënim të pritshmërive të tyre …
Ashtu siç Prokuroria Speciale rrënoi çdo shpresë…tuj e varros në inercion të radhës këtej nga ne !
Miq, mikesha puna është se kam kuptuar se duhemi ec përtej kërkimit për me idealizu besimin në politikanë, sepse dalim budallenj në këtë kontekst politik të cilin vëzhgojmë anave. Në këtë moment, e deri në këtë shtresë pjekurie, them dhe besoj për herë të parë se proceseve transformative politike në shoqëritë tona, duhemi kyç nga brenda, sado e frikshme të duket, madje anakronike e demode kjo kyçje përsëri mendoj se kjo do ishte e vetmja formë e vramjes së mosbesimit në ne.
Pra, beso në kyçje dhe shif e testo veten sa din me strukturu NDRYSHIMIN!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)