Tetovë, 26 shtator – “Zhvillimi profesional si koncept bashkëkohor pedagogjik” titullohet libri më i ri i profesor Xheladin Murati. Sipas autorit, zhvillimi profesional ka qenë dhe mbetet çështje e rëndësishme në procesin e organizimit të shkollës dhe punës pedagogjike në të.
Në këtë kuadër, zhvillimi profesional ka vendin e vet të veçantë në gjithë procesin zhvillimor të arsimtarit e të mësimdhënies. Në libër, autori flet veçanërisht për rëndësinë e saj në disa aspekte. Sipas tij, zhvillimi profesional është elementi që e bën arsimtarin aktiv që të bartet me proceset zhvillimore të shkollës. Autori i bënë të qartë cilësitë e arsimtarit që zhvillohet vizionar, autoritar, i përgatitur, organizator, i përkushtuar, tolerant, komunikues e të ngjashme.
Ai duhet të krijojë atmosferë pune në kolektiv dhe të jetë inovator i mirë. Në këtë libër, autori prezanton një eksperiencë reale dhe profesionale pedagogjike, si dhe qasjen bashkëkohore. Ai ofron një pasqyrë të saktë e konkrete dhe praktikë që zhvillimi profesional u mundëson arsimtarëve të zbulojnë hapë pas hapi fshehtësitë e mjeshtërisë apo artit të mësimdhënies.
Libri ka një shtjellim kuptimplotë dhe bartë me vete porosi të shumta e të duhura për punën profesionale e pedagogjike të arsimtarit. Në libër trajtohen më shumë aspekte, ndër të cilat veçohet përgatitja formale dhe joformale e arsimtarit si bazë për zhvillim profesional, përzgjedhja e problemeve, përshtatja me kërkesat dhe natyrën e punës pedagogjike në shkollë, modalitetet profesionale, karrierën dhe integrimi i tyre në rrjedhat zhvillimore të shkollës.
Në libër, gjithashtu duken qartë reflektimet rreth nocionit personal dhe nocionit konceptual. Libri tregon rrugën drejt së cilës duhet ecur në përsosjen dhe ngritjen profesionale. Kjo vepër e autorit është i përdorshëm dhe i dobishëm për të gjithë lexuesit, në veçanti për arsimtarët, edukatorët, drejtorët, menaxhuesit e shkollave.
Karakteri aplikativ i studimit është një linjë themelore e tij, sepse me anë të këtij libri orientohen udhëheqësit, drejtorët e shkollave në planin teorik dhe aplikativ për organizimin e zhvillimit profesional dhe bashkëkohësimin e mësimdhënies. Libri përbën një ndihmesë të çmuar për të gjithë ata që punojnë dhe drejtojnë arsimin dhe shkollën. (koha.mk)