Nga Qerim LITA
Masat që u ndërmorën kundër shkollës shqipe gjatë viteve 1949-1950, zbuluan maskën e planeve të fshehta antishqiptare të regjimit komunist të Federatës jugosllave. Pushteti “popullor” maqedonas në krye me Llazar Kolishevskin e Kërste Cërvenkovskin, nën pretekstin e “zbatimit me konsekuencë” të njohjes së plotë të të drejtave kombëtare për çdo “pakicë”, zhvilloi një fushatë të gjerë për hapjen e shkollave turke në krahinat e pastra shqiptare. Krejt kjo fushatë, e cila u zhvillua asaj kohe, pati për qëllim tjetërsimin e popullsisë shqiptare myslimane, përkatësisht, nga ajo popullsi në mënyrë artificiale të krijohet elementi “turk”, si parakusht për dëbimin e asaj popullsie nga trojet e veta etnike për në Republikën e Turqisë. Një akt të tillë, inteligjenca shqiptare e konsideronte si një masë e marrë nga qeveria komuniste që të “lirohet njëherë e mirë nga shqiptarët”. Ajo, në kushtet e atëhershme, kur organet e sigurimit përcillnin çdo lloj veprimtarie të saj, mori guximin që t’i kundërvihet kësaj fushate, përmes formave më të ndryshme. Gjëja themelore për ta ishte “të punohet për njohuritë nacionale të masave që t’u thuhet atyre se janë shqiptarë”, prandaj “ata nuk duhet të deklarohen si turq”. Në mesin e atyre intelektualëve, të cilët ndërmorën një hap të tillë, ishte edhe vëllai i profesor Masar Kodrës, Xhafer Kodra, i cili asaj kohe mbante postin e ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Republikës Popullore të Maqedonisë.
Shërbimi sekret maqedonas UDB-ë, në hap e ndiqte jo vetëm aktivitetin e inteligjencës, por edhe të atyre strukturave të pakta udhëheqëse shqiptare, ndaj të cilëve shprehej një mosbesim i skajshëm si nga UDB-ja po ashtu edhe nga udhëheqja politike maqedonase. Në mbledhjen e zgjeruar të Byrosë Politike të PKM-së, të mbajtur më 29 shkurt të vitit 1952, i besuari i UDB-së për rrethin e Tetovës, Arizon Nestorovsi – Marçe, në mënyrë të hapur shprehi mosbesimin ndaj anëtarëve shqiptar në organet partiake e të pushtetit, duke pohuar se: “asnjëri nga ata nuk është element i shëndosh, nuk është besnik i partisë, i cili nuk do ta tradhtonte revolucionin tonë dhe ndërtimin e socializmit te ne”. Me një tonë edhe më të vrazhdë foli edhe përfaqësuesi tjetër i UDB-së, Elisie Popovski, i cili inteligjencën shqiptare e kualifikoi si “irredentiste”, duke u shprehur se: “ata irredentistë shqiptarë i durojmë nga viti 1943” dhe për tërë atë veprimtari të tyre “armiqësore”, organet e pushtetit nuk ndërmarrin masa”. Në mbledhje u fol edhe për aktivitetin e “dyshimtë” të ministrit të Drejtësisë, Xhafer Kodra, i cili siç theksoi njëri ndër përfaqësuesit e UDB-së, kohë të fundit së bashku me Bajram Golën, zhvillon një aktivitet të dendur në Tetovë, dhe se i njëjti “nuk e sheh të arsyeshme të kthej në komitet”. Nuk vonoi shumë, pas kësaj mbledhje, UDB-ja maqedonase arrestoi Xhefar Kodrën, dhe nën akuzën se ka zhvilluar veprimtari “armiqësore kundër shtetit e popullit” dënohet me burg të rëndë, të cilin e vuajti në burgun e famshëm komunist jugosllav “Goli Otok”.
Padyshim se burgosja e Xhaferit, preku rëndë këtë familje arsimdashëse, në radhë të parë vëllain e tij më të vogël, Masar Kodrën, i cili asaj kohe ishte student në Fakultetin Filozofik në Shkup. Profesor Masar Kodra, pasi i kreu studimet u punësua si arsimtar në një shkollë fillore në Shkup, ndërsa në vitin 1960, punoi si gazetar deri në vitin 1966 në gazetën e atëhershme “Flaka e Vëllazërimit, që më pas të inkuadrohet në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup – departamenti i historisë së kombësive. Mbledhja e IV e KQ të LKJ-së, punimet e së cilës u zhvilluan më 1 korrik 1966 në Brione, konsiderohet si një kthesë shumë domethënëse për Federatën e atëhershme komuniste jugosllave, sepse në të mori një grusht të rëndë krahu centralist e unitaristë i Aleksandër Rankoviqit dhe klika e tij. Tito dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, menjëherë pas kësaj mbledhjeje shpallën reforma të përgjithshme si brenda Lidhjes komuniste, po ashtu edhe te organizatat dhe bashkësitë tjera shoqërore-politike, në organet shtetërore, veçmas në shërbimin për sigurimin shtetëror, i cili deri atëherë kontrollohej nga dueti Rankoviq-Stefanoviq. Me reformat parashikohej edhe përmirësimi i menjëhershëm i pozitës të kombësive, veçmas të shqiptarëve si në Kosovë po ashtu edhe në RS të Maqedonisë dhe në RS të Malit të Zi. Menjëherë pas këtyre vendimeve, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës ndërmori një aktivitet të gjerë e të gjithanshëm, në zbardhjen e të gjitha dukurive negative të kryera nga ana e shërbimit sekret ndaj popullsisë shqiptare. Kryesia e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, mbështetur nga faktet dhe dëshmitë e grumbulluara nga tereni, vlerësonte se: “deformimi më i rëndë” në Kosovë: “paraqitet në orientimin e shërbimit sekret në mosbesimin ndaj shqiptarëve, si element i dyshuar, si i rrezikshëm për shoqërinë socialiste…” Një marrëdhënie të veçantë, shërbimi në fjalë kishte vendos ndaj inteligjencës shqiptare, ku, vetëm gjatë periudhës 1960 e deri në Plenumin e IV, ndaj 900 intelektualëve shqiptarë kishte hapë dosje sekrete, duke ua veshë atyre etiketa të ndryshme, si: “nacionalistë të rrezikshëm”, “agjentë të shërbimit sekret shqiptar apo të shërbimeve tjera”, “mbrojtës të ideve nacionaliste” etj… Ndërkohë, përderisa në Kosovë e në republikat tjera jugosllave pati një aktivitet të dendur, në RS të Maqedonisë mbisundoi një heshtje totale. Udhëheqja politike e kësaj republike në krye me Kërste Cërvenkovskin, doli me një qëndrim krejtësisht të kundërt, përkatësisht, se situata politike në Maqedoni, nuk mund të krahasohet me atë të Kosovës, se në Maqedoni nuk ka pasur as “ç’far deformimesh nga ana e shërbimit sekret”, se këtu “nuk janë zhvilluar procese të montuara politike”, se ndaj popullsisë shqiptare “nuk është zbatuar një politikë diskrimuinuese si në Kosovë” etj., e prandaj sipas Cërvenkoskit dhe klikës së tij “çështja shqiptare në Maqedoni duhet shikuar më ndryshe nga ajo e Kosovës”.
Kundër këtyre vlerësimeve dhe qëndrimeve, doli inteligjenca e atëhershme shqiptare, e cila në mënyrë të argumentuar i demantonte të gjitha ato parulla dhe gënjeshtra që i plasonte kreu më i lartë i KQ LK-së. Ajo vlerësonte, se të arriturat e deriatëhershme, sa i përket avancimit e të drejtave nacionale, politike , si dhe zhvillimit kulturo-arsimor të shqiptarëve në Maqedoni, ishin tejet minimale, dhe nëse diçka është arritur në këtë drejtim, kjo më shumë ishte si rrjedhojë e angazhimit nga ana e vetë shqiptarëve se sa të pushtetarëve. Gjithashtu, ajo vinte në dukje: “se në disa vise realizimi i barazisë ishte demagogji” dhe se: “ekzistonte një numër i madh i të burgosurve politik, se UDB-ë deri në Plenumin IV i përndjekte vetëm shqiptarët, se gjuha shqipe ishte e nënçmuar, se punësimi i shqiptarëve nëpër institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore ishte shumë i vogël..etj”. Për ta, zgjidhja e problemit shqiptar ishte në krijimin e një “Qendre të vetme politike e kulturore” mbarë-shqiptare, ngjashëm si kombet tjera jugosllave. Ndër intelektualët e atëhershëm shqiptar të cilët mbronin këtë qëndrim duhet veçuar punëtorët e arsimit në përgjithësi, e veçmas profesorët e Normales “Zef Lush Marku”, e të gjimnazit të plotë në Tetovë, si dhe të punësuarit e gazetës së atëhershme shqiptare “Flaka e Vëllazërimit” si Lutfi Rusi, Memedali Hoxha, Ali Aliu, Rexhep Zllatku etj., në mesin e tyre edhe profesor Masar Kodra, i cili më vonë u kyç në Institutin e Historisë Nacionale – Shkup, si punënjës shkencor.
Në cilësinë e punëtorit shkencor, Masar Kodra, së bashku me inteluktalët tjerë shqiptarë, si Ali Aliu, Lutfi Rusi, Shukri Rahimi, Memedali Hoxha, Dr. Petro Janura etj., shtruan kërkesën që në vitin 1968, ngjashëm si në Kosovë e Shqipëri, edhe në Maqedoni të kremtohen dy data të rëndësishme kombëtare: 500 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe 60 vjetori i Kongresit të Manastirit. Lidhur me këtë, drejtuesit e Konferencës Republikane të LSPPM-së, gjatë vitit 1967 zhvilluan disa takime me drejtuesit Konferencës Krahinore të LSPPK-së, ku siç njoftohemi nga Informata e Këshillit Ekzekutiv të LSPPM-së, lënda kryesore e bisedimeve kishte qenë festat e adhshme kombëtare shqiptare, njohja me iniciativat e deriatëhershme, dhe përgatitjet dhe konsultimet për aktivitet e mëtutjeshme të Lidhjes Socialiste në RS të Maqedonisë, Malit të Zi dhe KA të Kosovës e Metohisë. Duke u ndalë në rëndësinë e dy festave kombëtare shqiptare, në informatë shprehimisht thuhej: “Vitin e ardhshëm 1968 mbushen 500 vjet nga vdekja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroi kombëtar shqiptar i cili plot 25 vjet me sukses i përballoi sulmet e ushtrisë osmane. Bëhet fjalë për figurë historike, i njohur për aftësitë e tij strategjike, të cilat mundësuan të krijoj dhe të ruaj territore të lira në Ballkan për shumë vite pas vdekjes së tij /pjesë nga Shqipëria veriore e sotme/. Ai njëkohësisht paraqitet edhe themelues i parë të shtetit shqiptar, duke udhëhequr luftime të suksesshme edhe kundër anarkisë feudale të vendit të shpërndarë.
Krahas iniciativës për kremtimin e kësaj feste kombëtare shqiptare, shtrohen kërkesa për shënimin e një ngjarje tjetër të rëndësishme në historinë kulturore të kombit shqiptar – krijimi i alfabetit të parë shqiptar. Ky jubile meriton vëmendje të veçantë për faktin se alfabeti u shtyp në Manastir nga grup intelektualësh, patriotë nga Shqipëria, të cilët mbanin lidhje të ngushta me lëvizjen nacionale maqedonase”. Në vazhdim të informatës thuhej se “iniciativat për shënimin dhe manifestimin e dy jubileve të mësipërme, gjithsesi se duhet të pranohen”, dhe se në Prishtinë vetëm se ishte formuar Këshilli për manifestim i cili kishte hartuar programin e vetë, ndërsa grupi për kombësi pranë Këshillit Kryesor të të LSPPM-së gjithashtu i ka shqyrtuar iniciativat dhe propozimet e deritanishme për shënimin e këtyre dy jubileve në trritorin e RS të Maqedonisë, ku ka konstatuar: ato të shënohen në mënyrë që do t’i kënaqte nevojat e kombësisë së shumtë shqiptare në RS të Maqedonisë, Kosovës e Metohisë dhe Malit të Zi, por njëkohësisht edhe nevojën për përfshirjen në manifestim edhe të qytetarëve tjerë nga të dy republikat dhe krahina; jubilet të shënohen në shenjë të përpjekjeve për afirmimin dhe zbardhjen e atyre ideve të cilat nëpërmjet së kaluarës historike e kanë afruar kombin tonë (maqedonas –Q.L.) dhe kombësitë dhe kanë kontribuar për lidhjen e forcave progresive; për nevojat e shkollave dhe të institucioneve tjera kulturor-arsimore, eshtë e domosdoshme të sigurohet një publikim i popullarizuar, nëpërmjet të cilit do të mundësohej njohja me jetën e Skënderbeut dhe me kohën kur ai ka jetuar e luftuar; duhet që edhe nëpërmjet manifestimeve përkatëse – akademi, të shënohen dy jubiletë për të cilat këshilli për manifestim do të propozoj program më konkret; kremtimi lidhur me alfabetin shqiptar mund të shënohet edhe me zbulimin e pllakës përkujtimore në Manastir, në shtëpinë ku është shtypur abetarja; si figurë e rëndësishme historike në Ballkan, me merritat e Skënderbeut duhet të njoftohen edhe kombet e kombësitë tjera në RSFJ-së. Për këtë qëllim duhet të publikohen shkrime nëpër shtëpi të ndryshme botuese të republikave dhe në përgjithësi në RSFJ …etj..
Gjatë bisedimeve të zhvilluara në Prishtinë e Shkup, midis dy udhëheqjeve përkatëse, është vendos të themelohet Këshilli koordinues i këtyre dy jubileve, me pjesëmarrjen e punonjësve shkencor nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Përveç kësaj, u themelua edhe Këshilli republikan për kremtimin e këtyre dy jubileve i cili përbëhej nga punëtor shoqëror-politik, kulturor e publik: Hysen Ramadani, Lutfi Rusi, Memedali Hoxha, Vllado Maleski, Xhevat Gega, Dr. Petro Janura, Mateja Mateski, Murat Isaku, Ali Aliu, Masar Kodra, Shukri Rahimi etj. Profesor Masar Kodra haset edhe në dokumentet tjera arkivore, që me këtë rast duhet të veçohet pjesëmarrja e tij aktive në debatin publik, i cili në fillim të viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar në RS të Maqedonisë u zhvillua rreth zgjidhjes së problemit të përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar shqiptar. Një debat të tillë, Komisioni për marrëdhënieve midis republikave, kombeve e kombësive pranë KQ të LKM-së, e organizoi më 6 prill 1973 ku krahas anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe punonjësit shkencor prani Institutit të Historisë Nacionale – Shkup. Gjatë debatit, u shtruan shumë dilema, sidomos nga historianët maqedonas, si Vllado Ivanovski e të tjerë, se a thua flamuri simbolizon shtetin apo kombin, se shqiptarët në RS të Maqedonisë a duhet ta përdorin të njëjtin flamur i cili në RPS të Shqipërisë, përdoret si flamur shtetëror etj.. Ndaj këtyre dilemave, reagoi profesor Masar Kodra, i cili në fillim të fjalës së tij shprehet: “diçka rreth asaj se çfarë është flamuri, se a thua flamuri e përfaqëson kombësinë apo shtetin. Secili shtet e përdor flamurin për shkak rëndësisë nacionale, mirëpo flamuri është simbol i kombit, përkatësisht kombësisë. Me evulucionin e shoqërisë ndryshime ka pësuar edhe flamuri, kështu që sot flamujt e mbarë kombeve në botë kanë pësuar ndryshime. Sa i përket pyetjes së shokut Vllado Ivanovski duhet të shihet se sipas të drejtës ndërkombëtare a parashihen të kryhen ndryshime dhe nën cilat kushte. Përndryshe, është fakt se flamuri përbën shprehjen e kombit, e jo të shtetit…”. Më pas Kodra, ndalet në tezat e ofruara nga ana e Sekretariatit Republikan të Drejtësisë, për hartimin e Ligjit për përdorimin e flamujve, ku theksoi: “Tezat i lexova me një vëmendje, ndërsa rreth tyre u zhvillua edhe debat. Pikërisht, se si do të përcaktohen zonat e përziera, a do të përcaktohen nga lartë ose do t’i përcaktoj vetë komuna? Ligjet tona kanë qëndrime të qarta në lidhje me arsimin, kulturën, përdorimin e gjuhëve etj. Pra nuk është rëndë të përcaktohet e të merret qëndrim për këtë çështje. Vështirësi ka nga ana tjetër, me miratimin e një ligji të tillë që të mos vijmë në një situatë që në zonat e përziera të krijojmë një kolorit me përdorimin e flamujve të ndryshëm. Aty ligji do të jetë më rigoroz edhe në rastin kur lejohet përdorimi i flamujve të përdoren edhe flamuri i kombësisë edhe i shtetësisë…”. Në përmbyllja të fjalimit, profesor Masar Kodra shtroi pyetjen se në cilin rast mund të përdoret flamuri kombëtar, përkatësisht, siç do të shprehet: “nëse flamuri është simbol i kombit, nëse e pranojmë atë tezë, parshtrohet pyetja tjetër në lidhje me festat kombëtare të kombësive që lidhen me shtetin amë /për shembull shpallja e pavarësisë/ ajo kombësi a do të ketë të drejtë edhe në atë moment ta përdor flamurin. Në teza nuk është marrë qëndrim në lidhje me këtë çështje përkuandër asaj se për të është diskutuar”. Pjesa e fundit e fjalimit të Masar Kodrës, nxiti debat e reagime të shumta jo vetëm nga pjesëmarrësit maqedonas por edhe ata shqiptarë, në radhë të parë nga komunistët siç ishin Femi Muça, Meti Kërliu e tjerë. Ky i fundit, duke iu kundërvënë fjalimit të Kodrës, tha: “Lidhur me atë që e shtroi shoku Masar, është fakt se kombet përbëjnë shtetin dhe këtu përputhen festat kombëtare e shtetërore, mirëpo duhet të dallohet, të kihet parasysh veçmas se ekzistojnë dallime të mëdha midis kombësisë së këtushme dhe shtetin amë. Konkretisht kur bëhet fjalë për kombësinë shqiptare kremtimi i shpalljes së shtetit shqiptar më 28 nëntor, kur kombi përfitoi shtetsinë, por vetëm në një regjion. Përmes lejimit të përdorimit të flamurit sigurimin dhe shfrytëzimin e simbolit si pjesëtar të një kombësie, mirëpo, në konstalacionin tjetër të jetës e të zhvillimit të një kombësie, mund të jetë krejtësisht divirgjente sot apo nesër ajo kombësi nga kombi i cili është vendosur në një shtet të veçantë”. Me një konstatim të tillë, nuk pajtohet Masar Kodra, i cili sërish e mori fjalën ku vuri në dukje se “përdorimi i flamurit gjatë festave kombëtare nuk nënkupton se flamuri ngritët për shkak të festës së shtetit amë, se e mbështet rregullimin e shtetit të tij amë, ndjenjat nacionale – po, por jo edhe rregullimin shoqëror-politik…”.
Profesor Masar Kodra, krahas profesor Shukri Rahimit dhe Ali Vishkut, njihet si themelues i historiografisë shqiptare në këto treva shqiptare, i cili përmes punimeve studimore të botuara në revistat shkencore të asaj kohe në gjuhën shqipe e maqedonase, por edhe përmes fejtoneve, nxori në pah shumë ngjarje me peshë historike të këtyre trevave shqiptare, sidomos pas luftërave ballkanike dhe pushtimin e tyre nga pushtuesit serb e bullgar, si dhe të periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.