Qeveritë do të duhet të përballen me tranzicione, pabarazi dhe biznese me fuqi konsumatore të tkurrur, në rast se nuk marrin masa paraprake për të ndërtuar fuqi punëtore, e cila iu përshtatet kushteve të ardhshme, thotë Klaus Shvab, drejtor Ekzekutiv i Forumit Botëror
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 prill – Kur flasin për profesionet e së ardhmes, shumica e njerëzve mendojnë kryesisht për programuesit dhe specialistët e teknologjisë informatike. Megjithatë ekzistojnë edhe shumë profesione të tjera për të cilat në të ardhmen do të ekzistojë kërkesë e madhe. Në të ardhmen do të rritet rëndësia e më shumë profesioneve që do të fokusojnë shumë shkathtësi dhe njohuri të ndryshme, shkruan gazeta KOHA. Ekspertët presin që një pjesë e profesioneve të së ardhmes të orientohen ndaj problemeve që njerëzimi akoma nuk ka arritur ti zgjidhë siç janë: ndryshimet klimatike, problemet e terrorizmit si dhe siguria në internet dhe rrjetet sociale apo sajber siguria. Studimi i Forumit Botëror Ekonomik, “E ardhmja e tregut të punës”, parashikon shkurtimin e pothuajse 5 milionë pozicioneve të punës përpara vitit 2020 si pasojë e zëvendësimit me robotë, nanoteknologji, inteligjencë artificiale dhe faktorëve të tjerë socio-ekonomikë.
Lajmi i mirë është, që po këto teknologji të reja, do të krijojnë rreth 2.1 milionë vende të reja pune. Nëse i kthehemi gjendjes në Maqedoni dhe shtetet e rajonit, edhe pse kemi ngecje ekonomike dhe shoqërore, megjithatë nuk mund të anashkalohet fakti se zhvillimi i hovshëm teknologjik, gradualisht po ndikon edhe në ekonominë dhe përditshmërinë tonë si dhe në zgjerimin gradual të profesioneve dhe trendeve të reja edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor . Edhe këtu vërehet se me avancimin e pagesave elektronike do të zhduken gradualisht nevoja për punëtorët në pikë-pagesat e autostradave.
Një pjesë e bankave kanë filluar të ofrojnë shërbimet elektronike ku të gjitha shërbimet realizohen përmes kompjuterit duke përjashtuar faktorin njeri. Gradualisht në një të ardhme të afërt do të ulet dukshëm edhe numri i punëtorëve në sportelet e bankave që do të zëvendësohen me bankierin në zyrë që do të ofrojë shërbime të specializuara dhe konsulente.
Në ndërkohë, analizat tregojnë se për të konkurruar sa më mirë në tregun e ardhshëm të punës, punëtorët, madje edhe ata, profesionet e të cilëve janë më pak të prekur nga automatizimi, do të duhet të përditësojnë aftësitë, thuhet më tej në raportin e Forumit Botëror Ekonomik.
“Qeveritë do të duhet të përballen me tranzicione, pabarazi dhe biznese me fuqi konsumatore të tkurrur, në rast se nuk marrin masa paraprake për të ndërtuar fuqi punëtore, e cila iu përshtatet kushteve të ardhshme”, thotë Klaus Shvab, themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Forumit Botëror Ekonomik.
Vlerësohet se përkundër zhvillimit të inteligjencës artificiale, megjithatë shkathtësitë që kërkojnë punë konkrete në situatat konkrete akoma kërkojnë njerëz. Sistemi arsimor do të modernizohet, por megjithatë akoma do të nevojiten edukator, mësues, dhe profesorë. Industritë e ndryshme çdo herë shënojnë rënie dhe ulje , por çdo herë do të ketë nevojë për ekspertë që analizojnë dhe orientojnë rrjedhat financiare. Gjithashtu, një nga profesionet më të kërkuara në të ardhmen do të jenë edhe inxhinierët e elektron, të kimisë dhe makinerisë për shkak se rritet nevoja për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme si uji, era apo dielli.
Plakja e popullatës në botën perëndimore si dhe hapja e shtëpive të pleqve do të rrisin kërkesën edhe për përkujdesje më të madhe të popullatës së moshuar. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë , hulumtimet për shërimin e sëmundjeve gjenetike si dhe çrrënjosja e sëmundjeve të ndryshme ngjitëse dhe të tjera, do të rrisë kërkesën edhe për mjek dhe farmacistë.
Rritja e rëndësisë së rrjeteve sociale për njerëzit dhe kompanitë do të imponojë edhe kërkesën se vjen e më të madhe të specialistëve të marketingut dhe profileve të tjera. Megjithatë në të ardhmen me siguri se nuk do të zhduken profesionet si avokatët, politikanët, shkrimtarët, apo artistët e profileve të ndryshme.
Vendosja e teknologjive të reja dhe mënyrës së re të punës përfshi edhe biznesin ndërkombëtar do të imponojë nevojën për njerëzit që kuptojnë dhe mund të definojnë ligjet dhe rregullat sipas të cilave do të funksionojnë rregullat e reja të lojës të biznesit në tërë botën . Si rrjedhojë e ndryshimit në profesionin e marketingut do të kërkohen shkrimtarë të specializuar për blogje, artikuj në ueb faqe dhe raporte të ndryshme si dhe nevoja për ekspertë të marketingut që do të gjejnë mënyrë dhe ide të reja për prezantimin e shërbimeve dhe prodhimeve të ndryshme. (koha.mk)