Nismat e deritanishme nuk kanë pasur sukses, sepse në këto aktivitete janë përfshi njerëz amatorë, të cilët përveç dëshirës, nuk posedojnë edhe ndonjë aftësi menaxhuese e profesionale. Një kuadër i edukuar që prodhimin e teston para se ta nxjerr në treg si dhe një treg që ka aftësi absorbuese, është kombinimi më i mire që shkon në favor të gjithë këtyre politikave zhvillimore, për të cilat më shumë flitet se as punohet
Nga Emin AZEMI
Sikur të ekzistonte një strategji e përpunuar institucionale, por edhe një planifikim më ambicioz i odave ekonomike, shumë biznese nga Maqedonia e Kosova do të mund të depërtonin dhe të bashkëpunonin me shumë kompani ekzistuese në tregun e Bashkimit Europian. Deri më tani dëshirat kanë dominuar mbi veprimet konkrete, ndërkohë që vetëm në Gjermani janë të regjistruara mbi 30 mijë biznese në emër të shqiptarëve. Kjo e dhënë i përmbys të gjitha teoritë pesimiste për pamundësinë e depërtimit të produkteve e ideve tona në një treg më të gjerë europian. Ka disa lëvizje që po i ndërmerr Rrjeti i bizneseve të diasporës, mirëpo deri më tani kanë munguar rezultatet e pritura dhe proklamuara gati në çdo konferencë të organizuar nga ky Rrjet. Përderisa këto lëvizje janë më të pranishme në bizneset me prejardhje nga Kosova, kjo nuk mund të thuhet edhe për ato që vijnë nga Maqedonia. Këtu ende nuk është ngritur në shkallë institucionale bashkëpunimi ekonomik midis subjekteve afariste të këtushme me ato nga diaspora. Ministria e Diasporës por edhe ajo e Ekonomisë nuk e ka një Sektor të veçantë që do të merrej me hulumtimin dhe detektimin e tregut të jashtëm, me theks të posaçëm një njësi që do të mund të përfshiheshin edhe segmente të caktuara afariste e menaxhuese nga diaspora. Kjo e fundit është një treg i pashfrytëzuar dhe aftësia konsumuese është e madhe, për sa kohë që kërkesat janë të orientuara në gjetjen e mundësive që në sofrat e mërgimtarëve të ofrohen produkte me prejardhje nga vendlindja. Brendimi i këtyre produkteve që do të ndiqte procedurat e njohura, do të ishte një lehtësim shtesë për hapjen e rrugëve tregtare, kurse përfituesit më të mëdhenj do të jenë prodhuesit vendorë dhe konsumatorët nga diaspora. Fundja luftërat më të mëdha tregtare sot po bëhen si të krijohen rrugë të reja për një depërtim më të madh të mallrave dhe produkteve, por me kusht që të hiqen barrierat e ndryshme doganore, fiskale etj.
Tregu u Bashkimit Europian ka rregulla strikte dhe aty nuk mund të depërtojë çfarëdo lloj produkti. Në këtë aspekt prodhuesve vendor iu bie barra të perfeksionojnë teknologjinë e prodhimit, ambalazhimin dhe marketingun. Jo pak prodhues kanë provuar të depërtojnë në këtë treg, por testet e para kanë treguar se cilësia e produkteve të këtushme lë shumë për të dëshiruar, edhe përkundër faktit se janë gjendur rrugë për plasim. Pra nuk mjafton vetëm tregu, si dimension hapësinor, por nevojitet mbi të gjitha edhe cilësia, pa të cilën produktet vendore nuk do të mund të depërtojnë, sidomos kur ato përdoren në industrinë përpunuese e ushqimore.
Sido që të jetë rrethi i bashkëpunimit duhet zgjeruar dhe potenciali prodhues duhet kombinuar me standardet profesionale që ofrojnë cilësi. Kjo gjithsesi nuk mund të bëhet nga individët, sado vullnet mirë të jenë, por nga institutet e specializuara që japin certifikata për standarde dhe cilësi.
Bashkëpunimi ekonomik me tregjet e jashtme është natyrë komplekse. Nuk mjafton vetëm dëshira, por një sere aktivitetesh e ndërmarrjesh që do të siguronin parakushte për këtë bashkëpunim. Nismat e deritanishme nuk kanë pasur sukses, sepse në këto aktivitete janë përfshi njerëz amatorë, të cilët përveç dëshirës, nuk posedojnë edhe ndonjë aftësi menaxhuese e profesionale. Një kuadër i edukuar që prodhimin e teston para se ta nxjerr në treg si dhe një treg që ka aftësi absorbuese, është kombinimi më i mire që shkon në favor të gjithë këtyre politikave zhvillimore, për të cilat më shumë flitet se as punohet. (koha.mk)