Një punëtor në Maqedoni krijon diku rreth 15 mijë euro të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit që është gati tre herë më pak se mesatarja evropiane prej rreth 50 mijë euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 janar – Maqedonia është një nga shtetet me produktivitet më të ulët të punës në Evropë.
Sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Statistikave – EUROSTAT, një punëtor në Maqedoni për një orë krijon vetëm 43 për qind të vlerës së shtuar të mesatares evropiane, apo për tre herë më dobët se mesatarja gjermane prej 127 për qind, shkruan gazeta KOHA. Ekonomistët vlerësojnë se Maqedonia ngjashëm me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka probleme me shumicën e faktorëve që ndikojnë në suksesin e një prodhimtarie, siç janë kapitali fizik apo makineritë relativisht të vjetra që përdoren në industrinë vendore, kapitali njerëzor që përfshin shkallën e arsimimit, shkathtësitë e punëtorëve si dhe përvojën që mbështet procesin e punës, teknologjia moderne e punës që shpesh mungon në fabrikat tona. Problemet e tjera janë edhe organizimi shpesh joefikas i punës, ambient ekonomik dhe ai juridik nën të cilin zhvillohet puna si dhe faktorët e tjerë që rrisin apo ulin produktivitetin.
“Problemi i produktivitetit të punës paraqet një çështje mjaft komplekse që i mundon të gjitha shtetet e rajonit, përfshi edhe Maqedoninë. Megjithatë nëse i njejti punëtor nga Maqedonia në Gjermani apo në Zvicër , është një nga shembujt e punëtorit më të mirë, atëherë nuk mundet të thuhet se ai nuk është punëtor, por atij i mungon një motivim më i madh , jo vetëm në aspektin e pagës ku këtu punon për 250 apo 300 euro ndërsa për perëndim punon për një pagë dhjetë herë më të madhe , por edhe stimulimeve të llojeve të ndryshme. Njëherazi këtu kemi edhe problemin e menaxhimit të mirëfilltë, kompanive mirë të organizuara dhe me objektiva të qarta të punës”, thotë profesori universitetar, Neritan Turkeshi.
Sipas tij, në këtë drejtim edhe fabrikat tona nevojitet më shumë të ofrojnë prodhime më cilësore , por edhe të orientohen më shumë në prodhime që më shtrenjtë mund ti shesin në treg, në mënyrë që të sjellin edhe profit më të madh për kompanitë. Nga ana tjetër, eksperti Vanço Uzunov, vlerëson se produktiviteti i punës rritet përmes investimeve dhe kualifikimeve bashkëkohore, ndërsa mirëqenia e qytetarëve rritet me dinamikën e përmirësimit të kualifikimeve të punës dhe me investime.
“Thelbi i përmirësimit të konkurrencës dhe produktivitetit të ekonomisë nënkupton kualifikime më të mira që i kërkon tregu i punës, si dhe angazhimi në prodhime dhe shërbime që do të kenë komponentën e vlerës së shtuar të prodhimeve për eksport”, vlerëson Uzunov.
Nga ana tjetër, edhe hulumtimet e ndryshme tregojnë se Maqedonia ka produktivitet të ulët të matur me vlera materiale për punëtor. Analizat e produktivitetit të punës të para disa viteve, tregojnë se një punëtor në Maqedoni krijon diku rreth 15 mijë euro të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit që është gati tre herë më pak se mesatarja evropiane prej rreth 50 mijë euro. Ndryshe, sipas EUROSTAT, punëtorët më produktiv janë ata të Luksemburgut me 172 për qind të mesatares evropiane, të Danimarkës me 133 për qind dhe Gjermanisë me 127 për qind të mesatares evropiane. Nga ana tjetër, Bullgaria ka produktivitet të punës prej afër 45 për qind të mesatares evropiane, Rumania ka 59 për qind, Greqia dhe Kroacia nga 64 për qind, ndërsa Sllovenia ka 81 për qind. (koha.mk)