Një pjesë e bujqve thonë se problemi i plasmanit e ka fajin, ndërsa ndërlidhet edhe me angazhimin e shtetit që fermerët më lehtë të tejkalojnë problemin e tregut si çështjen kryesore të prodhimtarisë bujqësore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 korrik – Bujqit në Maqedoninë e Veriut me dekada dhe gati për çdo vit përballen me problemin e shitjes dhe pagesës së sigurt të prodhimeve të tyre bujqësore. Ditët e fundit aktuale janë çmimet fillestare prej 9 denarë për një kilogram grurë që ofrohen nga ana e mullisëve, dhe çmimin prej 12-13 denarë për kilogram që e kërkojnë bujqit. Së fundmi, problem kishte edhe me shitjen e pjeshkave që në një pjesë të madhe u kapërcye me eksportin kryesisht në Rusi, por edhe në Kosovë dhe Mal të Zi, shkruan gazeta KOHA. Probleme të shumta me çmimet e ulëta grumbulluese që shpesh nuk mbulojnë as harxhimet e prodhimit, kishin një pjesë e madhe e fermerëve në shtet, ndërsa edhe një pjesë e vreshtarëve vite me radhe kishte probleme të mëdha për shkak të vonesave dhe borxheve të një pjese të kantinave të verës në shtet ndaj tyre.
Një pjesë e bujqve në shtet thotë se problemi i plasmanit e ka fajin edhe tek bujqit, ndërsa ndërlidhet edhe me angazhimin e shtetit që fermerët më lehtë të tejkalojnë plasmanin si çështjen kryesore të prodhimtarisë bujqësore.
“Në këtë drejtim, shteti nevojitet që të kërkojë partnerë përkatës jashtë që të shitet teprica e prodhimeve, mirëpo edhe bujqit shpesh plasojnë prodhime në treg që nuk i kënaqin standardet evropiane. Edhe fermerët nevojitet që të orientohen ndaj prodhimtarisë së mallit të klasit të parë që e kërkon tregu, ku si rrjedhojë e mosplotësimit të këtij kushti shpesh edhe i humbin këto blerës”, thotë bujku Ljupço Arizanov.
Në ndërkohë, vlerësohet se prodhimtaria bujqësore kërkon prodhimtari të organizuar, dhe jo prodhimtari stihike sot për nesër. “Që të arrijmë përparim nevojitet prodhimtari e organizuar bujqësore që do të bazohet në marrëveshjen e ndërsjellë midis bujqve dhe grumbulluesve që do të nënshkruhet në fillim të vitit kalendarik, me çmime të qarta grumbulluese, me kritere saktësisht të definuara të prodhimtarisë bujqësore si dhe cilësi dhe sasi të kontraktuar”, thotë kryetarja e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Vaska Mojsovska. Sipas saj, edhe bujqit duhet të kuptojnë një herë e përgjithmonë se bashkimi në kooperativa apo mënyra të tjera të organizimit ekonomik është i domosdoshëm, për shkak se ato vetëm të bashkuar nesër do të kenë pozita më fuqishme gjatë negocimit për çmimin. Njëherazi, bujqit e bashkuar do të planifikojnë më mirë prodhimin dhe do të kenë edhe kosto më të ulët të prodhimtarisë së tyre.
Të dielën, ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, tha se bujqit vetëm të bashkuar në kooperativa me hapësira më të mëdha punuese, dhe më shumë bagëti garantojnë cilësi të harmonizuar në treg, si dhe rritje të konkurrencës dhe depërtimin e prodhimeve nga Maqedonia në tregjet e jashtme. “Bujqit kur janë të bashkuar kanë mundësi që më lehtë të realizojnë investime të mëdha, të konkurrojnë për masat kombëtare dhe të programit IPARD, më lehtë të blejnë mekanizim bujqësor si dhe të kenë harxhime më të vogla”, vlerëson Dimkovski.
Ndryshe, edhe analizat më të reja të Fakultetit të bujqësisë në Shkup kanë treguar se ndër sfidat kryesore të fermerëve në shtet janë mungesa e njohurive të sakta për koston e prodhimtarisë, largimi i bujqve nga bujqësia, mungesa dhe fuqia e shtrenjtë punëtore, mos shpagueshmëria ekonomike, prodhimtaria bujqësore pa plan, mungesa e shitblerjes së sigurt, besimi ndaj tregtarëve, mungesa e kontratave apo nënshkrimi i tyre vetëm në aspekt formal . Sugjerohet që më shumë të punohet në paketimin, ruajtjen, përgatitjen për transport dhe kapacitetet e ruajtjes së pemë perimeve. Njëherazi rekomandohet që qendrat grumbulluese të ndërtohen në rajonet që kanë prodhim më intensiv bujqësor.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se në bazë të analizave të Fakultetit të Bujqësisë do të konstatohet në mënyrë konkrete edhe nevojat, lokacionet dhe dimensionet e qendrave të ardhshme për grumbullimin dhe shpërndarjen e pemë perimeve në shtet. Njëherazi sivjet përmes Programit për Zhvillim rural parashikohet financimi fillestar i projekteve me vlerën 100 për qind për investime në kapacitete prodhuese, frigoriferë industrial dhe qendra grumbulluese si dhe për qendrat grumbulluese të prodhimeve bujqësore me prioritet që kanë probleme me plasmanin. Edhe me mjetet e IPARD 2 mundësohet kofinancimi i harxhimeve për ndërtimin apo rikonstruimin e magazinave, frigoriferëve , punkteve të shitjes dhe llojeve të tjera të investimeve që mundësojnë zgjidhjen e problemit me tepricat e prodhimit dhe sigurimin e plasmanit të prodhimeve bujqësore. (koha.mk)