Prodhimtaria e naftës në botë do të ulet për 500.000 fuçi

OPEC dhe aleatët e saj janë dakorduar që të ulin prodhimtarinë e përbashkët të naftës së papërpunuar për 500.000 fuçi shtesë në ditë për tremujorin e parë të vitit 2020.

Ulja shtesë e prodhimtarisë së naftës do të zbatohet nga 1 janari i vitit 2020 dhe do t’i shtohet marrëveshjes aktuale të prodhimit të naftës.

I quajtur OPEC+, grupacioni i shteteve të OPEC-ut i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe shtetet jashtë OPEC-ut të udhëhequra nga Rusia, në dhjetor të vitit 2018 u dakorduan që të ulin prodhimtarinë e përbashkët të naftës për 1.2 milionë fuçi në ditë deri në qershor të vitit 2019 dhe më pas e vazhduan këtë marrëveshje deri në fund të muajit mars të vitit 2020.

Arabia Saudite do të marrë përsipër pjesën më të madhe të barrës të shkurtesës prej 500.000 fuçi në ditë duke ulur prodhimin e saj individual me 167.000 fuçi në ditë, tha ministri i Energjisë, princi Abdulaziz bin Salman, para përfaqësuesve të mediave pas takimit treorësh të grupacionit OPEC+ në Vjenë.

Ai shtoi se Arabia Saudite në bazë vullnetare gjithashtu do të ulë prodhimtarinë e naftës së papërpunuar për 400.000 fuçi në ditë, që do të çojë sasinë e përgjithshme në 2,1 milionë fuçi në ditë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Prodhimi i naftës me kondensatë në Rusi, i cili kohët e fundit është bërë temë polemike, nuk do të llogaritet më brenda kuotës së prodhimit të naftës së papërpunuar të vendit, njoftoi ministri rus i energjisë, Alexander Novak në konferencën për media.

Ai shtoi se Rusia merr pjesë me 70.000 fuçi në ditë në shkurtimin e dakorduar prej 500.000 fuçish, duke çuar shkurtimin e saj prej 228.000 në 300.000 fuçi në ditë, përcjell AA.

Ministrat thanë se ky shkurtim do të rishikohet në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm, duke u bazuar në kushtet e tregut dhe çmimet e naftës.

Pas vendimit të shkurtimit shtesë të vendeve nga OPEC+, çmimet e naftës së papërpunuar u rritën në tregun global të naftës.